Presidenti i Gjykatës Europiane: Reforma në rrugën e duhur

Presidenti i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, Koen Lenaerts viziton Shqipërinë në një moment ku gati është fundi i procesit të Reformës në Drejtësi. Përveç takimit në një seminar më të zgjeruar me gjyqtarë e njerëz të drejtësisë, ndalesën e parë ai e pati në Universitetin Europian të Tiranës ku mori edhe titullin Doctor Honoris Causa. Ai jep vlerësimet e tij për procesin e rëndësishëm të Reformës per Drejtësi në këtë intervistë për Top Channel.

Z. Lenaerts ju jeni këtu si President i Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhe e keni gjetur tashmë Shqipërinë në një moment të rëndësishëm dhe delikat. Kur tashmë janë votuar antarët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Gjyqësorit. Sa e keni ndjekur procesin e Reformës në Drejtësi dhe sa jeni të informuar rreth saj duke qenë se ka pasur nga angazhim nga SHBA dhe vendet e BE?

Nuk jam në dijeni të detajeve më të imëta të procedurës së reformës në Shqipëri, por më kanë informuar se ekziston një program, që është i posaçëm për këto reforma. Mesa kam parë, puna e tyre me autoritetet shqiptare është duke vazhduar fort, ndaj është në drejtimin e duhur. Siç thashë, vlerat kryesore janë pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit, pra, të gjykatave. Reformat janë bërë për t’i forcuar këto vlera dhe kjo është një shenjë shumë pozitive.

Ju nderoheni me titullin Doktor Honoris Causa nga UET, ka një arsye tjetër vizita juaj në Shqipëri, pikërisht në këtë kohë?

Përgjigjja është jo. Të jem i sinqertë me ju, sepse jam gjithnjë transparent, unë nuk isha në dijeni që në Shqipëri po zhvilloheshin reforma të thella të gjyqësorit. Por u informova dje dhe sot. Vizita ishte planifikuar prej kohësh, për shkak të një bashkëpunimi shumë të mirë me presidentin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, zotin Zaganjori. Ai është një anëtar shumë aktiv i Rrjetit të Unioneve Europiane të Presidentëve të Gjykatave të Larta. Dhe sigurisht që Shqipëria, me statusin e kandidatit, është anëtarëe e këtij rrjeti. Pastaj erdhi ideja që do të ishte mirë të punonim në një seminar, në një seancë pyetje-përgjigje me gjykatësit shqiptarë, siç e zhvilloj në çdo vend anëtar të Be-së.

Por a mundet gjykata jonë kushtetuese t’i drejtohet Gjykatës Europiane të drejtësisë, edhe pse Shqipëria nuk është një vend anëtar i BE, nëse ve re shkelje nga Kuvendi sa i përket kritereve të antarësimit…

Është pyetje shumë e kuptueshme. Por përgjigjja, fatkeqësisht, është që nuk mund ta bëjnë. Vetëm gjykatat e shteteve anëtare të BE-së mund t’i drejtohen. Kështu që, para anëtarësimit, edhe pse Shqipëria ka statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, nuk mjafton që gjykatat shqiptare t’u drejtohen për vendimet paraprake. Mënyra normale për të diskutuar gjëra të tilla është me Komisionin Europian ose drejtpërsëdrejti me gjykatën nëpërmjet kanaleve më informate, si vizita ime tani.

A keni ju një mesazh për sistemin e drejtësisë, duke filluar që nga avokatët deri tek prokurorët e gjyqtarët, por jo vetëm për ta, edhe për politikanët, në një moment kaq të rëndësishëm për drejtësinë sic ndodhet Shqipëria…?

Së pari, dua ta uroj me gjithë zemër Shqipërinë për atë zhvillim. Për mendimin tim, është një zhvillim kyç, sepse u informova nga presidenti Zaganjori se KLGJ përbëhet pjesërisht nga gjykatës të zgjedhur nga gjykatës, dhe pjesa tjetër nga përfaqësues të grupeve të tjera, të shoqërisë civile. Është fantastike. Është përbërja më e mirë e më me standarde e një këshilli të tillë. Gjykatësit zgjedhin përfaqësuesit e tyre në KLGJ nëpërmjet votave të fshehta. Kjo është mënyra më e pavarur për ta krijuar KLGjDhe ky formim garanton që procedurat që vijnë më pas, si emërimet, ngritjet në detyrë, masat disiplinore, nëse nevojiten, të gjykohen nga një trupë që është e pavarur nga shumica në parlament. Kjo është shumë e rëndësishme për pavarësinë e procedurave gjyqësore.