Krijimi i ushtrisë së Kosovës-Vlerë e shtuar për paqen e sigurinë në Kosovë dhe Rajon

Nga Prof. Lisen BASHKURTI

Mbas një rruge të gjatë diskursi politik në nivele lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, Republika e Kosovës krijoi ushtrinë e vet. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në procesin shtetformues të Rëpublikës së Kosovës si dhe një element themelor i sigurisë së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Me këtë akt Republika e Kosovës ka plotësuar kuadrin e institucioneve themelore shtetërore të saj.
E krijuar mbi bazat e parimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ushtria e saj e ka të përcaktuar misionin e vet. Ushtria e Kosovës ka karakter thellësisht mbrojtës nga qëllimi, objektivat strategjike, struktura ushtarake, kapacitetet njerëzore e logjistike. Ushtria e Kosovës do ndërtohet mbi parime thellësisht demokratike dhe me përbërje multietnike, që reflekton karakterin multietnik të shoqërisë dhe të institucioneve demokratike të saj.
Ushtria e Republikës së Kosovës do ndërtohet qysh në themelet e saj mbi parimet politike, demokratike dhe strategjike të NATO. Kjo për arsye se ushtria e Kosovës është krijuar më synimin madhor që t’i bashkohet Aleancës së Atlantikut të Veriut sa më parë që të jetë e mundur.
Me këtë synim madhor për t’u bërë pjesë e NATO, ushtria e Kosovës do jap një kontribut të shtuar për paqen dhe sigurinë në rajon dhe do jetë e gatshme për të marrë pjesë dhe të kontribuojë në nismat që NATO ka ndërmarrë dhe do vijojë të ndërmarrë në dobi të paqes dhe sigurisë në të ardhmen kudo në botë.
Ushtria e Republikës së Kosovës ka fatin të krijohet në një kohë kur Shqipëria, partneri më startegjik i saj është antare e NATO. Qënia e Shqipërisë në NATO do i ofrojë Kosovës gjithë përvojën e saj të vyer për ndërtimin e funksionimin e ushtrisë, për ndërtimin e funksionimin e sistemit të institucioneve demokratike të sigurisë, për eksperiencën e rrugës së integrimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut përmes PfP (Partneritetin për Paqen), MAP (Planin e Veprimit për Antarësim), sikundër do i japë mbështetjen e plotë në procesin e lobimit dhe votimit për antarësimin e Kosovës si antare me të drejta të plota në NATO.