Cungu: Nuk mjafton vetëm dëshira, kemi probleme në finalizim

Barazimi në “Selman Stermasi” mes Partizanit dhe Kukësit nuk i ka shërbyer shumë skuadrës verilindore për të rihapur garën për titullin kampion. Trajneri Armando Cungu nuk është shprehur aspak i kënaqur me lojën e skuadrës së tij në përfundim të ndeshjes.

“Dëshira e çdokujt është të fitojë ndeshjen, ishte objektivi ynë. Dëshirën dhe mundësitë i treguam në fushë ku ishim afër fitores. Nuk po luanim me ekip dosido por me kryesuesin, e dinim që nuk ishte e lehtë, por jam i kënaqur me atë që dhanë djemtë. Për mosmarrjen e tre pikëve faktor ishte edhe Hoxha, i cili ishte në ditën më të mirë të kampionatit. Që në fillimin e sezonit, vuajmë për të finalizuar. Në të dy pjesët zbritëm mirë me treshen e sulmit, por mungoi saktësia në zgjidhjen e situatave frytdhënëse. Kjo na ka penalizuar për pikët, si në ndeshjen e parë kur zbriti një herë kundërshtari e na shënoi. Tani jemi më solid në mbrojtje dhe kërkojmë të godasim kundërshtarin.

Dëshira dhe objektivi ishte për të marrë tre pikë, për ta provuar. Fakti që iu afruam nga 12 në 5 pikë kundërshtarit, një trepikësh do të ishte shumë i ngrohtë për ne. Por nuk ka pse të mos jem pjesërisht i kënaqur me një pikë, pasi luanim ndaj vendit të parë, në fushën e tij. Dëshira pastaj është gjë tjetër. Edhe sot funksionuam, ishim prezent në portë dhe në zonën e kundërshtarit. Në momente të caktuara edhe mund të shënonim, ekipi po funksionon. Por ajo që më gëzon është që edhe futbollistët e ndjejnë dhe po argëtohen në fushën e lojës”, deklaroi strategu i skuadrës verilindore.