BE-ja del kundër transformimit të FSK-së në ushtri

Pas formimit të ushtrisë së Kosovës ka reaguar edhe Bashkimi Evropian. Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë për Kallxo.com se BE-ja do të mbajë qëndrim njësoj si NATO-ja karshi kësaj ushtrie.

“Kuvendi i Kosovës miratoi sot një legjislacion mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ashtu si NATO, Bashkimi Evropian vazhdon të ndajë qëndrimin se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe gradual në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Bashkimi Evropian pret që Kosova të vazhdojë të mbajë detyrimet e saj sipas marrëveshjes së parë të përfunduar në Bruksel në prill 2013 dhe aranzhimet e saj të sigurisë”, ka thënë Kocijançiç.

Kosova pas 10 vitesh pavarësi ka formuar ushtrinë e saj. Ky vendim është marrë sot në Kuvendin e Kosovës me vota unanime nga ana e deputetëve.

Reagimi i menjëhershëm ka qenë nga ana e NATO-s të cilët shprehën keqardhje për formimin e ushtrisë së Kosovës.