Viktima në tokë dhe ujë, makina përplas mësuesen buzë rrugës në Kryebushat

Një mësuese 46 vjeçare u përplas për vdekje ndërsa priste mjetin që e dërgonte në shkollë në Shkodër, ndërsa dy të rinj mbetën të plagosur në një aksident në Vlorë.  Dy trupa të pajetë u gjetën edhe në Hidrovorin e Vlorës dhe bregdetin e Fierit.

Mësuesja 46 vjeçare, Shpresa Shima, po priste në buzë të rrugës furgonin e shkollës ku jep mësim, në kohën kur u përplas për vdekje.

Aksidenti fatal u regjistrua në orët e para të mëngjesit në aksin që lidh qytetin e Shkodrës me Bushatin.

Makina që e përplasi arsimtaren drejtohej nga një 38 vjeçare, e cila u shoqërua në polici për veprime të metejshme.

Dy persona mbetën të plagosur në Vlorë, pasi makina me të cilën udhëtonin përfundoi e përmbysur në mes të rrugës pas një aksidenti.

Ngjarja ndodhi në Transballkanike.

Drejtuesi dhe një pasagjer mbetën të plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë një trup i pajetë i gjet në Hidrovorin e Vlorës.

Policia tha se viktima është shtetasi me iniciale K. H., 62 vjeç, me origjinë nga Dukati i Vlorës (endacak).

Nga këqyrja paraprake, në trupin e viktimës nuk vërehen shenja dhune apo dëmtime të dyshimta.

Ndërsa në Fier u gjet e pajetë në plazhin e Ndërnënasit, 56-vjeçarja Liljana Tafa nga Zhupani, prej ditësh e denoncuar e humbur nga familjarët.