“Migracioni”, Meta: Duhet menaxhuar përmes një mekanizmi bashkëpunues dhe solidar

Presidenti i Republikës Ilir Meta po merr pjesë në në Konferencën Ndërqeveritare të Nivelit të Lartë “Kompakti global për migrim të sigurt, të organizuar dhe të rregullt” që po mbahet sot në Marakesh të Marokut.

Përmes një njoftimi të shkurtër në rrjetet sociale, Presidenti Meta thekson se çështja e migracionit duhet menaxhuar përmes një mekanizmi më bashkëpunues dhe solidar. E nisur nga kjo, Presidenti Meta thekson se nuk duhet të lejojmë të dobësohemi nga lëvizshmëria njerëzore.

“Sot në Marakesh, në Konferencën Ndërqeveritare të Nivelit të Lartë “Kompakti global për migrim të sigurt, të organizuar dhe të rregullt”. Ne nuk duhet të lejojmë të dobësohemi nga lëvizshmëria njerëzore, por të menaxhojmë migracionin me një mekanizëm më bashkëpunues dhe solidar”- shprehet Presidenti Ilir Meta në mesazhin e tij të përcjellë përmes faqes zyrtare në rrjetin social “Facebook”, teksa i bashkëngjit dhe një foto nga punimet e sotme në Marakesh.