Të shkarkuarit nga Vettingu nisin ankimimet e para në Strasburg

Prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë që janë larguar nga sistemi si pasojë e vettingut, i janë drejtuar Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke ankimuar vendimet e dhëna në Shqipëri.

Ora News mëson se kësaj gjykate i janë drejtuar personat e parë të shkarkuar nga Komisioni Pavarur i Kualifikimit, vendimet të cilave janë lënë në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Ndër emrat që i janë drejtuar Strasburgut, janë ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Durrësit Besim Trezhnjeva.

Ky i fundit mësohet se ka zgjedhur për ta përfaqësuar dhe një avokate italiane.

Po kësaj gjykate i janë drejtuar dhe ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj dhe ish-prokurori i Apelit të Tiranës, Gentian Trenova.

I vetmi kriter që është marrë për bazë në vendimet përfundimtare për shkakrkimin e tyre ishte ai i pasurisë, pa shqyrtuar dy kriteret e tjera të integritetit dhe profesional.

Po drejt kësaj rruge mësohet se janë duke iu drejtuar edhe gjyqtarë dhe prokurorë te tjerë të shkarkuar, të cilët kanë një afat 6 mujor nga vendimi përfundimtar për t’iu drejtuar Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, si shkalla më e fundit e ankimimit.

Mësohet se nga Strasburgu deri tani nuk ka ardhur ende ndonjë konfirmim për pranimin apo jo të dy padive, por vendimi i parë që do jepet nga kjo gjykatë duket se do të shërbejë si precendent për vendimet e tjera.

Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe më parë në Serbi, ku procesi i reformimit të gjyqësorit filloi në vitin 2008.

Më shumë se 800 gjyqtarë nga 3000, humbën vendin e punës. Shumica e atyre që u refuzuan në atë kohë, ose apeluan në Gjykatën Kushtetuese në Serbi, ose në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Ekspertët ligjorë akuzuan Këshillin Gjyqësor se nuk ka respektuar kriteret në largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të aftë për arsye politike dhe ngritjen në detyrë të të tjerëve me dosje problematike, dhe se e kanë bërë këtë larg nga syri publikut dhe për shumicën prej tyre kanë vendosur rikthimin në detyrë.