Studentët: Rama në panik nga orteku i protestës. Nuk ka negociata

Lëvizja për Universitetin, një nga organizatat që merr pjesë në protestën e madhe të studentve, në një reagim për mediat thotë se protesta do të vijojë dhe nuk do të ketë negociata.

JO NEGOCIATA!

Përmes një komunikimi publik kryeministri Rama ka kërkuar të çoroditë mijëra studentët protestues. Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se ai dhe qeveria e tij janë përgjegjësit kryesorë për shkatërrimin e jetës universitare publike.

Në vitin 2015 kanë miratuar një ligj të arsimit të lartë që bazohet në parimin klientelist: varfërim i universiteteve publike dhe shpërndarje e buxhetit të arsimit edhe për universitetet private. I njëjti ligj i ka dhënë qeverisë mundësinë të kontrollojë pothuajse të gjitha bordet e administrimit të universiteteve publike, duke rrënuar autonominë universitare. Siç ka ulur përqindjen e votës studentore nga 20% i ulët në 10% e papërfillshëm.

Në panik nga vrulli i ortekut studentor, qeveria kërkon ta kthejë shënjestrën te burokratët dhe pedagogët e korruptuar. Si aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin i kemi goditur këta të fundit në çdo rast. Por deri më sot abuzimet e tyre kanë qenë të pandëshkuara pikërisht prej mburojës që kanë gjetur te qeveria dhe strukturat e saj.
Ligji i arsimit të lartë ka vdekur. Universitetet kanë nevojë të rithemelohen nga trupa e universitarëve – studentë e pedagogë – pa ndërhyrjen e qeverisë në asnjë fazë të procesit.

Protesta e studentëve është autentike pikërisht se askush nuk ka tagrin t’i përfaqësojë. Ajo i tremb të gjitha partitë pikërisht se është e tillë. Prandaj studentët brohorasin njëzëri: “Jo negociata!”

Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin u bëjnë thirrje të gjithë studentëve që ta vazhdojmë protestën deri në dorëzimin e plotë dhe pa kushte të qeverisë.

“Studentët e bashkuar kanë për të fituar!”