“Shqipëria në prag të Juntës Ushtarake”

Nga Flamur Çela – Mund të duket e pabesueshme por projektligji famëkeq për ndryshime në ligjin e Policisë së Shtetit i propozuar nga ministri Lleshi duket si ëndërr e keqe që mund të bëhet realitet në kushtet e një mazhorance homogjene dhe një kryeministri arrogantë .

Vendosja e nenit 40/1 për zëvendësimin e trupës së lartë policore me kuadro ushtrie është sa skandaloze aq edhe e frikshme për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.

Ky akt i papreçedentë tregon regresin në të cilin Shqipëria po rrëshqet pasi përfshirja e elementve me begraund ushtarak bie në kundërshtim me themelin e ligjit për Policinë e Shtetit dhe mënyrën e funksionimit të saj në terren në raporte me komunitetin.

Shpresoj që misionet e huaja që asistojnë prej vitesh Policinë Shqiptare të reagojnë dhe ti mësojnë kastës politike të mazhorancës që nuk duhet të cënojnë integritetin e trupës policore dhe as ta infektojnë atë me trupa jashtë sistemi që nuk dinë as alfën e misionit policor që është shërbimi ndaj komunitetit .

Policia e Shtetit prej vitit 1999 me ligj nuk është më pjesë e forcave të armatosura dhe cilësohet pjesë me uniformë e administratës publike. Larg duart nga Policia e Shtetit, mos ktheni Juntën Ushtarake në Shqipëri.