Politikë, kjo fjalë e marrë nga Youporn

Nga Gentian Gaba – 

Dikur, kineasti Federiko Fellini ka thënë se “nuk ndërpritet një emocion”, duke iu referuar reklamave të tepërta me të cilat copëzonin magjinë e filmit. Kjo thënie do t’i shkonte shumë edhe parullës “Jo Politikë”, të përsëritur, deri në mërzi, gjatë protestës studentore të këtyre ditëve. Një refren i lodhshëm, që ndërpet emocionin e protestës, sapo ajo merr trajtat e një vale e cila kërkon të ngrihet përtej kërkesave të studentëve.

Togfjalëshi është përdorur sa herë protestuesit kanë dashur të largojnë nga organizimi i tyre, jo vetëm përfaqësues të partive politike, por edhe qytetarë që u përpoqën të bashkoheshin me ta, pasi kanë identifikuar tek aksioni studentor një kanal për të amplifikuar mesazhin e tyre. Sikurse ishte rasti i banorëve të “Astirit”, ose “Aleancës për mbrojtjen e Teatrit”. Një vëzhgues naiv do të pajtohej me këtë ‘lamturmirë ndaj politikës’. Fundja ka mote kur ajo tingëllon si një fjalë turpi. Diçka e dalë nga skutat e Youporn, dhe adresat aspak puritane të internetit. Një term, një zanat, një aktivitet shoqëror që ka detyruar qytetarët të mos marrin pjesë në shpërndarjen e pushteti me apatinë e tyre ndaj politikës.

Mirëpo, për sa e turpshme mund të jetë bërë politika, thirrja “Jo Politikë” gjatë një proteste është si t’i thurrësh lavde virgjërisë, ndërkohë që je duke bërë seks. Paradoks. Në fakt, përtej vullnetit të sudentëve për të lënë jashtë protestës partitë politike; thirrja “Jo Politikë” tingëllon si një stratagjemë e atyre që për këtë protestë po punojnë prej të paktën katër vitesh. Bëhet fjalë për Organizatën Politike. Një grupim të rinjsh, ideologjikisht të pozicionuar në atë kuadrant të politikës ku përdoret ende termi “shokë”, të cilët prej kohësh kanë ngritur flamurin në protestat për Arsimin e Lartë; duke mbushur me aktivizmin e tyre vakuumin e krijuar nga e partitë tradicionale, sidomos atyre të majta, në oborret e universiteteve. Kjo organizatë ka qenë infrastruktura mbi të cilën u ngritën këto katër ditë të dhjetorit. Për nistorët e këtij orteku këto katër ditë, janë fryti i një marshimi katër vjeçar dhe, për këtë arsye, janë duke vepruar në mbrojtje të investimit të tyre politik.

Sigurisht, parulla “Jo politikës” i referohet asaj të të tjerëve; jo të Organziatës Politike (in nomen omen). Autarkia me të cilën kërkohet të drejtohet kjo protestë, tradhëton hilen për ta kthyher atë në një mjet për të arritur, në mënyrë graduale (qasje gramshiane, e Antonios jo e qytetit), një fitore mbi të cilën të konsolidojnë ngrehinën e kësaj lëvizje politike. Për këtë arsye artikulimi politik është ende latent. Sepse përtej 8 pikave, ekspozimi i një platforme, apo identifikimi i qartë i udhëheqësve të kësaj proteste, do nxiste dinamikat konflikutale që lindin vetiu në grupime kaq heterogjene dhe, njëkohësisht, do t’i ekspozonte ndaj sulmeve të atyre që protestën, përtej ngjyrimeve, e duan të vdekur.

Mirëpo frika dhe xhelozia ndaj tëhuajsimit të protestës ka nisur ta vrasë atë. Nëse ajo nuk hapet, ndaj atyre që po frymëzohen nga studentët, nuk artikulohet qartë politikisht, duke zgjeruar objektivat e saj, rrezikon të mos jetë gjë tjetër veçse një festival i bukur koresh dhe pankartash. Një potpuri njerëzish që nuk kuptuan dot se protesta nuk është vetëm e atyre që e organizojnë, por e gjithë atyre që vendosin lirisht të marrin pjesë në të. Njerëz që në vend të shihnin hënën, ndalën për të parë gishtin, gishtat apo grushtin.