Përparim Kabo, kryeministrit: Edhe Presidentin De Gol studentët e rrëzuan në 1968

Sot studentët protestuan për të katërtën ditë me radhë në Tiranë dhe qytete të tjera. Për të folur në lidhje me këtë çështje, por edhe për të analizuar pse arritëm në këtë pikë në studion e “Top Talk” ka qenë i ftuar Pr/Asociuar. Dr Përparim Kabo, i cili ka edhe një mesazh për kryeministrin Rama.

“Dua t’i drejtohem kryeministrit Rama: A i dinit ju këto shqetësime, apo i keni dëgjuar për herë të parë?! Përse harxhoni 40 milionë euro për të rregulluar Unazën?! Do të presim ne qytetarët e Tiranës, për t’u rregulluar ajo. Nuk e dini ju që tarifat për Doktoraturë janë të papërballueshme për kërkuesit e rinj shkencorë?! Çfarë do të dialogojnë ata atje?! Studentët ia kanë çuar kërkesat ministres Nikolla. Ajo është anëtare e qeverisë, ta mbledhë Qeverinë urgjentisht sot, të përcaktojë çfarë duhet të bëjë qeveria, çfarë duhet të bëjë Parlamenti dhe me procedurë të përshpejtuar t’i drejtohet Parlamentit që ditën e hënë t’i zgjidhë këto çështje”, u shpreh Pr/Asociuar. Dr Përparim Kabo.

Gjatë intervistës, profesor Kabo kujtoi edhe një fakt historik, ku 50 vite më parë në Francë, studentët rrëzuan Presidentin de Gol, duke u bërë thirrje studentëve të përfshihen edhe në çështje të tjera sociale.

“U kërkoj studentëve, që pasi të arrijnë uljen e tarifës, të kërkojnë para për ndryshimin e kushteve në universitete dhe konvikte. Por duhet të kërkojnë se çfarë është bërë me pasurinë kombëtare në këto 30 vite. Çfarë është bërë me pronën private?! Nëse gjeneratat e reja nuk përfshihen në këto gjera, atyre do u plotësohen këto kërkesa minimale dhe pellgu do të mbetet ky që është. Do të jap një shembull historik, do u drejtohem edhe studentëve. 50 vite më parë, në 1968 studentët rrëzuan presidentin e Francës, gjeneralin De Gol. Lëvizja nisi për kushtet e konvikteve, por protesta u zgjerua… Ku po shkonte Franca?!, e De Gol u rrëzua!”, tha Kabo.

Ndonëse krahasimi i Ramës me De Gol nuk shkon.