Ndalimi i deputetit nga policia serbe, reagon qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas ndalimit të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petrovic nga xhandarmëria serbe në Merdar.

Përmes një njoftimi qeveria e Kosovës thotë se dënon këtë akt të xhandarmërisë serbe dhe sipas saj deputeti i Kosovës është ndaluar pa asnjë arsye duke iu refuzuar hyrja në Serbi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me shqetësim ka pranuar sot informatën se në vendkalimin kufitar në Merdare, është ndaluar pa asnjë arsye nga policia serbe, deputeti i Republikës së Kosovës, z. Slobodan Petroviç, dhe se i njëjti është mbajtur për orë të tëra në këtë vendkalim.

Qeveria e Republikës së Kosovës deklaron se kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Republikës së Kosovës, posaçërisht ata të komunitetit serb, që punojnë nëpër institucionet e Kosovës e që janë subjekt i hetimeve, keqtrajtimeve dhe fyerjeve nga autoritetet serbe.

Qeveria e Republikës së Kosovës e quan të pa tolerueshëm rastin e sotëm dhe kërkon që këto praktika nga ana e Serbisë të ndërpriten sa më shpejtë dhe që në të ardhmen asnjë qytetarë i Kosovës, nga asnjë përkatësi etnike të mos ketë problem të tilla.

Serbia duhet ta kuptojë njëherë e mirë se situata të tilla nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë“, thuhet në deklaratën e qeverisë së Republikës së Kosovës.