Kryeministri përgatit ligjin për gjobitjen dhe mbylljen e portaleve online

Qeveria ka gati paketën antishpifje, përmes së cilës vendosen gjoba për lajmet e rreme të publikuara nga mediat online.

Nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në Kodin Penal, por disa ndryshime në ligjin për mediat audiovizive ku do të futet koncepti i mediave online, si edhe në ligjin për komunikimet elektronike.

Sanksionet e vendosura nga qeveria për lajmet e pavërteta duket të jenë të rrepta. Gjobat e paralajmëruara edhe më herët nga Kryeministri variojnë nga 100 mijë deri në 1 milion Lekë dhe penaliteti shkon deri në mbylljen e aktivitetit të medias online.

Në rastet kur ankesat e qytetarit nuk merren në konsideratë nga Operatori i Publikimit të Shërbimit Elektronik, projektligji parashikon gjobë fikse prej 800 mijë Lekësh, madje drafti i qeverisë shkon deri në pezullim për një vit të medias online nëse ajo publikon brenda një viti më pak se 5 herë lajme të pavërteta.

Më hërët Kryeministri ka folur për 600 portale online të paligjshme. Për këtë arsye në ligjin për komunikimet elektronike është parashikuar që regjistrimet e këtyre mediave të bëhen nga nga ky institucion.

Dy projektligjet pritet të kalojnë për votim në Këshillin e Ministrave, e më pas do t’i sillen për votim Parlamentit. Tv Klan