Kamza më në fund gjen fitoren, i galet Fukuit ndaj Luftëtarit (VIDEO)

Kamza mori një fitore të vuajtur me rezultatin minimal 1-0 ndaj Luftëtarit në sfidën e luajtur pasditen e sotme. Mjaftoi një gol i shënuar nga mesfushori anësor japonez Masato Fukui në pjesën e parë, për t’i dhënë 3 pikët skuadrës së Gjokës, që la fundin e tabelës për të shkuar një pozicion më lart.

Mesfushori japonez tentoi dy herë brenda pak minutash me kokë, por nëse në rastin e parë nuk arriti të godasë, në të dytin gjeti kohën e duhur për krosimin e ardhur nga këndi dhe shtyu në rrjetë topin.

Nga ana tjetër, Luftëtari i Mezanit u zgjua vetëm në pjesën e dytë dhe i shkoi pranë golit në 2-3 raste, por pa arritur të thyejë portierin Ilir Avdyli, i cili ishte në gatishmëri të plotë.

Me këtë fitore Kamza shkon në kuotën e 12 pikëve, 1 më pak se Luftëtari që ndodhet në vendin e tetë në renditje. Sfida e radhës për Luftëtarin është ajo kundër Skënderbeut ndërsa për Kamzën ajo kundër Flamurtarit.