Kaçe dhe Llullaku gjejnë rrugën e rrjetës, shihni golat e tyre (VIDEO)

Fundjavë shumë pozitive për legjionarët e kombëtares sonë. Ergys Kaçe shënoi një gol mjaft të bukur me kokë, ku skuadra e tij Panathiakos, u ndesh në fushën e OFI Cretës. Mesfushori shqiptar shfrytëzoi mjaft mirë krosimin e Emiliano Insuas, duke mposhtur portierin Strezos.

Goli i Kaçes shërbeu për barazimin momental të Panathinaikos, por gjithsesi vendasit arritën të fitojnë ndeshjen 3-1, pasi kishin shënuar fillimisht me Deligiannidis, e më pas me Platellas dhe Korovesis. Pas kësaj disfate, Panathinaikos zbret në vendin e gjashtë në kuotën e 19 pikëve.

Gjithashtu rrugën e rrjetës gjeti edhe sulmuesi Asdren Llullakun me Astran e tij. Skuadra e sulmuesit shqiptar, mundi 3-1 Concordian, e cila renditet në vendin e parafundit, duke kështu marrë 3 pikë mjaft të vlefshme në javën e 19 të kampionatit.

Llullaku, i futur si zëvendësues në të 79-ën, shënoi 2 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, duke përfituar nga një rrëmujë në zonën kundërshtare. Dy lajme shumë të mira për Panuccin, që mund t’i ftojë në ndeshjet e ardhshme.