Shënime nga festat…

Fejton nga Thoma Goga

Gjullurdia e festave të fundvitit ka ditë që zjen. Gëzojnë të gjithë. Fëmijët gëzojnë se marrin ndonjë dhuratë. Dihet, ata të pasurit e mbajnë dhe pazarin më lartë. Të varfërit e mbajnë “dherazi” se nuk kanë takat. Blejnë ndonjë arush ose lepurush të vogël. Po një fëmijë noksan, që nuk e di kuptimin e fjalës “varfëri”, e donte lepurushin të madh. Gjyshi i mbushte mendjen se edhe ky lepurush do të rritet.

– Hë, të keqe gjyshi, haje të gjithë bukën me sheqer që të rritet edhe lepurushi, edhe bibilushi…

Si ai fëmija, gëzojmë edhe ne pleqëria. Nuk besoni ju, mo? Ore për dy muaj nuk paguaj drita se mbushet shtëpia nga reklamat e rrugëve. Apo nuk janë dhe me ngjyra. Ndaj nuk i ndez dritat në shtëpi. As të vogla e as të mëdhaja. Po një natë desh më gjeti hataja. Plakës time iu fandaks se kishte hyrë xhebrahili. Dhe duke mallkuar, iu turr hijes së saj në mur. Kur u përplas, i çuan sytë xixa. Pastaj ra si thes.

– Shyqyr me kaq, plakë, – i thashë, – se ka më keq.

Të nesërmen ishte 28 nëntori. Gjumi më doli pa u gdhirë mirë. Se që ta merrni vesh ju, unë banoj te sheshi “Shqiponja” që s’ka as shqiponjë, as laraska. Gjullurdi hesapi. Po aty ështe dhe terminali i autobusëve të jugut. Milet i madh. Ca ikin, ca vijnë, ca presin. Kur shoh një burrë që në xhaketë kishte varur nja 20 dekorata. Në kokë një kapele partizani pa yll dhe në qafë një shallë të kuq. Ç’të shoh! Ishte Gjoleka, kryeplak i një fshati andej nga Lumi i Vlorës.

– Po ti o Gjolek, për ku nxiton mo?

– Kemi festën e flamurit në Vlorë, o derman. Nxitoj se më zënë vendin në tribunë.

– Po tribuna është vetëm për “të mëdhenjtë”.

– Dre, ç’më thua bre Çome! Po edhe unë hyj në sërën e lartë. Pastaj, këtë vit tribuna është bërë 500 metro e gjatë. Do e mbushëm vetëm me vlonjatë. A vjen dhe ti të rrimë bashkë në tribunë? Mbete gjithë jetën duke parakaluar para meje, o mavri. Do që ta shënoj ëmbrin si vlonjat?- m’u drejtua seriozisht Gjoleka.

– Jo, faleminderit. Do ta mbyll “mandatin” si myzeqar. – i thashë. – Po këto dekorata ku i ke marrë?

– Si “krieplak” që jam, nxorra urdhër të mbledhëm të gjitha dekoratat në fshat dhe i qepëm te kjo xhaketë. Kështu kanë më shumë “sy”, më shumë lezet, kupton. Vendosëm ta përdorim me radhë. Një e merr kur shkon krushk, një kur ka ditëlindje, një… Ka dhe nga ata që e marrën vetëm për një xhiro, sa për të shitur pordhë… Nashti më polli rradakja një marifet. Këtë xhaketë e jap me qera. Ja, nxjerr ndonjë lek.

– Me demek, si biznes i vogël, – ia ktheva me romuze unë.

– Mos thuaj gjë, o shejtan, se na fut ai “i gjati” ndonjë taksë për çdo dekoratë…

Dhe kështu u ndamë. Gjoleka drejt tribunës te sheshi flamurit në Vlorë, unë drejt sheshit Skënderbej për të marrë ilaçet e plakës. Po këmbët më çuan andej nga Partizani Panjohur. Edhe aty gjullurdi. Bëhej ceremoni. Pyeta një polic se ç’kishte bërë vaki.

– Festojnë ATA ditën e çlirimit, – ma ktheu djaloshi i shtetit.

Më shpëtoi një e sharë vendçe. Jo për ata që festojnë, por për gjermanin e fundit. ”Të qafsha të tëmë, dëgjove. Pse nuk e fiksove mirë datën kur ike, o legen, se na ke ndarë si me hanxhar”. Sa mora ilaçet, u ktheva te plaka.

– U bëra merak, -tha,- pse u mbodhise? Nuk do dalësh sonte për natën e bardhë!

As që më kishte shkuar në mend, që nata qenka dhe e bardhë. Po siç duket, plaka kishte dëgjuar lajmet, ndaj më futi në “arrest shtëpie”. Nejse. Atë natë plaka fjeti rehat. Mbase dhe nga ilaçet.

Të nesërmen dola prapë. Sheshi plot. Një zë më thirri nga pas. Ishte Çeçua me gunën në krah. Në një dorë mbante krrabën, në tjetrën një tufë me lule.

– Po ti?- pyeta unë.

– Uuu lëna, Çome, se u merova. – filloi Çeçua. – M’u lutën kafsharët t’i çoja një herë në Tiranë për festë. Kanë “të ndrejtë” se mbenë mbyllur në stan. Erdhëm si “staf” i stanit, kupton apo jo. U ulëm në bar aty ku kalon lumi i Tiranës. Hëngrëm ato që kishim me vete; bukë, mish, djath, turshi. Zbrazëm edhe nga një faqore me raki. Dëgjuam se hapej parlamenti edhe për ne kafsharët. Vamë.

– Si, hytë dhe ju?- u çudita vërtetë.

– Hymë dhe u ulëm. Po salla plot. Më shumë rrinin në këmbë se s’kishte asnjë vend. Unë u ngjita në tribunë. U ula te vendi “krietarit” se mua më takon vendi i “krietarit”. Jo më kot atë që drejton kuvendin e kemi gjiton nga anët tona. E kam edhe nip në fshat. Kur ulëriu njëri nga krahu i djathtë: ”Poshtë Çeçua, poshtë Çeçua!”. U pataksën të gjithë, të thom. Ç’të shoh. Ishte nipi i Pinxho Kapellës, një nga kafsharët e mi.

– Edhe këtu nuk më le rehat, o kulaku i derrit, – ia prita. Pastaj u dhashë urdhër rojeve ta nxirrnin jashtë.

– E pastaj?!

– Pastaj u ndezën qëntë më keq se në stanin tim. Erdhën ca ushtarë dhe të parin më nxorrën mua jashtë.

– E pastaj?! – Pastaj na çuan në polici. Atje fjeta sonte. Shyqyr thuaj, se nuk kisha koqe leku për hotel. Erdhëm si për festë, po nashti më vjen festja vërdallë…

– Ku janë kafsharët?

– Do i kenë çuar në ndonjë stallë tjetër.

– Po këto lule? – I mblodha anës e pas anës lumit të Tiranës. Sot e kam ditën e çlirimit. Do i çoj te Partizani Panjohur, se ka qënë trim nga fshati im…

Pimë nga një kafe e raki me Çeçon dhe u ndamë. E ja, këto qyfyre shënova në defterin tim. Ato sikur më ndjekin këmba –këmbës, oj tëmën e sëmës…