Tirana në garë për çmimin “Kryeqyteti i gjelbër europian” nga KE

Mbjellja e mbi 122 mijë pemëve, kthimi i qendrës së qytetit në pedonale, shtimi i lulishteve dhe këndeve të lojërave, si dhe shtimi i korsive të dedikuara për biçikletat si alternativë ekologjike transporti, e kanë renditur Tiranën në listën e qyteteve pretendente për të fituar çmimin “Kryqyteti i gjelbër europian” që organizohet çdo vit nga Komisioni Europian.

Tirana është përzgjedhur nga Komisioni Europian përkrah 9 qyteteve të tjera nga e gjithë Europa, përfshi edhe vende të Bashkimit Europian, që garojnë për çmimin “Kryeqyteti i gjelbër europian për vitin 2021”. Krahas Tiranës, në këtë garë janë përzgjedhur qytete të njohura të Europës si Budapesti (Hungari), Cagliari (Itali), Dijon (Francë), Lahti (Finlandë), Lille (Francë), Shkupi (Maqedoni), Strasburgu (Francë) dhe Västerås (Suedi).

Karmenu Vella, komisionerja europiane për Mjedisin, Çështjet Detare dhe Peshkimin, duke folur për këtë konkurs u shpreh e kënaqur për qytetet konkurrente, ndërsa përshëndeti përpjekjet që kanë bërë këto qytete për të përmirësuar mjedisin lokal dhe cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre.

“Unë jam shumë e kënaqur të shoh se Kryeqyteti i Gjelbër Europian. Këto qytete po punojnë shumë që të jenë vende më të mira për qytetarët e tyre për të jetuar, punuar dhe për të kaluar jetën. Unë nuk kam asnjë dyshim se të gjithë aplikuesit janë të famshëm dhe ne mund t’i përshëndesim këto përpjekje dhe arritje të jashtëzakonshme”, tha komisionerja Karmenu Vella.

Pas këtij hapi, një panel prej 12 ekspertësh të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht do të fillojnë një vlerësim teknik të çdo konkurrenti, për të zgjedhur një listë të shkurtër të qyteteve që konkurrojnë për këtë çmim.

Ky panel ekspertësh do të vlerësojë aplikacionet e “Kryeqytetit të gjelbër europian” në bazë të 12 treguesve mjedisorë: zbutjen e ndryshimeve klimatike, adaptimin e ndryshimeve klimatike, lëvizjen e qëndrueshme urbane, përdorimin e qëndrueshëm të tokës, natyrën dhe biodiversitetin, kualitetin e ajrit, zhurmën, mbeturinat, rritjen e ekonomive të gjelbëra dhe eko-inovacionit, performancës së energjisë dhe qeverisjes.

Finalistët do të shpallen në prill të vitit 2019 dhe më pas do të ftohen të paraqesin rastet e tyre përpara një jurie ndërkombëtare. Juria do të vlerësojë angazhimin e qyteteve për zhvillim të qëndrueshëm urban, aftësinë e tyre për të vepruar si një model për qytetet e tjera dhe strategjinë e tyre për komunikim dhe angazhim me qytetarët e tyre. Fituesi do të shpallet në një ceremoni shpërblimi në qershor, në Oslo, si “Kryeqyteti i gjelbër europian i vitit 2019”.