Studentët revoltohen me kryeministrin: “Ku dreqin e gjejnë guximin të na dalin kundër”

Pak pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, i cili i ftoi studentët në dialog, këto të fundit janë treguar të vendosur se do të vijojnë të protestojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Një studente në protestë shprehet se kryeministri duhet të plotësoje kërkesat e tyre dhe sipas saj nuk kemi pse të dialogojmë me të.

“Protesta është më e madhe se e gjithë Shqipëria. Ku dreqin shkojnë dhe e gjenë guximin që të na dalin kundër.Jam e bindur që po dridhen nga frika sepse u ka dalë situata nga dora. Studentët janë më të fortë dhe të bashkuar se kurrë. Ne nuk lëvizim nga vendi, do ta bllokojmë jetën universitare. Ose ta legjitimojnë ose ta delegjitimojnë kërkesat tona, pastaj dimë vet se çfarë do të bejmë.”– u shpreh një studente në protestë.

Kujtojmë se 4 kërkesat e studentëve ishin:

  1. Anulimi i VKM për tarifa shtesë.
  2. Përgjysmimi i tarifës së studimit.
  3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve.
  4. Bordi i Administrimit të ketë̈ numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë se Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentet ne bord.

Ndërkohë që studentët e UBT-së kanë shtuar dhe disa kërkesa të tjera, që vijojnë si më poshtë:

Kërkesat e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës:

1- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019;

2- Rritja e buxhetit për arsimin me 8% të GDP-së, buxheti për vitin 2019;

3- Reduktimi tarifës me 30% për vitin akademik 2018 – 2019;

4- Reduktimi tarifes me 50 % për vitin akademik 2019 – 2020;

5- Arsim publik falas për vitin akademik 2020 – 2021;

6- Përmirësimi i kushteve të konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës;

7- Mbështetja e aktiviteteve dhe projekteve të studentëve me një fond të veçantë, nivel fakulteti;

8- Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore;

9- Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor;

10- Rritja nga 10% në 40% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor, dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.