Studentët nuk ndalen, nis marshimi në Shkodër, Vlorë dhe Korçë (VIDEO)

Edhe pse Ministria e Arsimit dhe Sportit, hoqi pikën 4 në VKM-në e kundërshtuar ashpër nga studentët që tarifonte çdo kredit të provimeve të bartura, të cilët prej dy ditësh mblidhen në protestë para kësaj ministrie, ata duket se nuk janë kënaqur me plotësimin e vetëm një prej kërkesave të tyre.

Në Shkodër kanë nisur të marshojnë për të tretën ditë me radhë, me kërkesat e qarta për përgjysmimin e tarifave të studimit dhe përmirësimit të kushveve të konvikteve, sikurse edhe përfaqësimin në Bordin e Administrimit.

Në Vlorë, studentët e Universitetit “Ismail Qemali” kanë lënë sërish orët e mësimit për të protestuar jashtë ambienteve të universitetit, sikurse edhe në Elbasan, ku studentët janë mbledhur përpara “Aleksander Xhuvanit” dhe më pas do të nisen drejt Tiranës.

Edhe studentët e “Fan Nolit” të Korçës kanë hyrë në ditën e dytë të protestës. Ata kërkojnë tashmë plotësimin e kërkesave të tjera. Grumbullimi ka filluar në ambientet e jashtme të Korpusit universitar, me pjesëmarrjen e studentëve të fakulteteve të Ekonomisë, Edukimit dhe Bujqësisë.