Studentët mesazh forumeve politike: Larg protestës sonë

Protesta e studentëve ka hyrë sot në ditën e tretë të saj, ndërsa kërkesat e tyre për përgjysmimin e tarifave janë primare. Një nga thirrjet që është bërë gjerësisht në protestën e sotme është mbajtja larg e forumeve politike.

Shumë prej studentëve e kanë deklaruar dhe më herët që protesta e tyre lidhet me kushtet ekonomike dhe sociale të tyre dhe nuk ka asnjë ngjyrim partiak.

”Jo politikë, jo politikë”, janë koret e përdorura në masë nga ana e studentëve që janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit. ”Do të kërkojmë dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe më pas do të hyjmë në grevë urie”, është shprehur nga nga studentët e Fakultetit Juridik.

Përveç 4 kërkesave kryesore e të bëra të ditura tashmë, si anulimi i VKM për tarifën shtesë, përgjysmimin e tarifës së studimit, përmirësimin e kushteve të konvikteve dhe atë për bordin e administrimi, studentët e Kamzës kanë shtuar:

1- Paisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019;
2- Rritja e buxhetit për arsimin me 8% të GDP-së, buxheti për vitin 2019;
3- Reduktimi tarifës me 30% për vitin akademik 2018-2019;
4- Reduktimi tarifes me 50 % për vitin akademik 2019-2020;
5- Arsim publik falas për vitin akademik 2020-2021;
6- Përmirësimi i kushteve të konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës;
7- Mbështetja e aktiviteteve dhe projekteve të studentëve me një fond të veçantë, nivel fakulteti;
8- Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore;
9- Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor;10- Rritja nga 10% në 40% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor, dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.