Studentët: FRESSH po tenton të përçajë protestën

Edhe pse Ministria e Arsimit dhe Sportit, hoqi pikën 4 në VKM-në e kundërshtuar ashpër nga studentët që tarifonte çdo kredit të provimeve të bartura, të cilët prej dy ditësh mblidhen në protestë para kësaj ministrie, ata duket se nuk janë kënaqur me plotësimin e vetëm një prej kërkesave të tyre.

Ndalesa për pak minuta e të rinjve para kryeministrisë është një nga pikat e axhendës së protestës sot por disa prej tyre janë devijuar. Sipas denoncimit të një studenti në ”News 24” shkak është bërë ndërhyrja nga njerëz të vënë nga FRESSH, duke marrë rolin e organizatorëve të turmës.

“Ky është një akt i turpshëm, pasi një grup të rinjsh që janë anëtarë të FRESSH, të stimuluar politikisht tentuan të orientojnë studentët të mos marshojnë para kryeministrisë, në rrugën drejt Ministrisë së Arsimit dhe e kanë devijuar turmën. Ne nuk duam ta politizojmë protestën, jemi studentë të lirë, ky grupim do të ushtrojë propagandë, por do ta kenë të pamundur”, u shpreh studenti i universitetit të Politeknikut.