Si u kthye një njoftim i thjeshtë tek Urbanistika në megaprotestë. Kush qëndron pas saj

Shumëkush që pa përmasat që mori protesta studentore e një dite më parë, ka pyetur mbi motorët që i vënë ata në lëvizje.

Shkëndijë për një megaprotestë si ajo e një dite më parë ka shërbyer njoftimi i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, ku u kërkohej studentëve shlyerja e tarifës vjetore të shkollimit brenda datës 15 dhjetor si dhe viheshin në dijeni për tarifën e re për kredit në rast se përsërisnin provimet, sipas VKM-së së re.

Në kohë rekord ka xhiruar njoftimi për t’u ngritur në revoltë kundër kësaj “gjobe”, duke mbledhur më shumë se 1200 nënshkrime në peticionin dorëzuar dekanit të fakultetit. Me këtë rrugë, ata shfrytëzuan mundësinë që kërkesës parësore t’i bashkëngjitin dhe tre të tjera dhe destinacioni i protestës i kaloi kufijtë e fakultetit për t’u drejtuar nga Ministria e Arsimit me mbështetje që as vetë organizatorët nuk e prisnin.

“Pjesëmarrja në këto numra ishte e pamenduar dhe gati e pabesueshme në fillim. Ne (Lëvizja për Universitetin) nuk mund t’i marrim meritat për organizimin e kësaj proteste. Tanimë janë studentët që duan të protestojnë me kërkesat e tyre”, thotë Xhuliano Bregasi, një nga përfaqësuesit e Lëvizjes për Universitetin.

studentet-protesta4

Por nuk është vetëm kjo e fundit, e vetmja organizatore. Me ndihmën e këshillave studentorë që kanë mobilizuar studentët dhe shumë të tjerë të vetorganizuar përmes rrjeteve sociale, rezistenca mori përmasa të mëdha. Rezistencë studentore ka pasur çdoherë, por çfarë e bëri realisht ndryshimin?!studentet-protesta3

“U prek xhepi dhe ishte një tarifë goxha e rëndë për studentët, 670 lekë për kredit për provime të mbartura apo përmirësim. Për kërkesat e tjera do ketë protesta në vazhdim deri në realizimin e tyre”, thotë Bregasi, duke shtuar edhe zërin protestues për të tjera kauza ditëve të fundit. Sakaq, sërish sot pritet e njëjta situatë. Në 08:00 është lajmëruar bojkot i fakulteteve, për t’u zhvendosur në 10:00 para Ministrisë së Arsimit./Panorama/