Shehi: Humbje që të dhembë, Teqja gaboi por është më i miri në Shqipëri

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi nuk e ka fshehur zhgënjimin për humbjen ndaj Kukësit, e cila sipas tij mund të ishte evituar. Ish-portieri i korçareve foli edhe për gabimin e Teqja-s, të cilin e ka vlerësuar madje si portierin më të mirë në Shqipëri.

“Të dhemb, sepse është një humbje që mund ta evitonim. Nuk është se e pësuam nga trysnia e kundërshtarit, por është humbje që dhemb dhe vjen në një moment jo të mirë.

Për herë të parë në këtë kampionat vijmë pas 3 ndeshjes pa rezultat pozitiv. Jemi skuadër komplet ndryshe nga vitet e tjera. Futbolli i tillë është, na dhemb sot, por duhet të punojmë që të qeshim nesër.

Ndërhyrja e Teqja-s? Sigurisht që është një moment i evitueshëm, por në momentin e parë, duke qenë se kam qenë edhe vet ne ata pozicion, e humbet toruan kur kundërshtari të vë në presion. Kjo ndodh, i ka ndodhur Aldos, por nuk duhet ta kryqëzojmë, thjesht duhet t’i japim kurajo. Për mendimin tim Aldo është portieri më i mirë në Shqipëri.

Për sa i përket sulmit, them që pres më shumë nga i gjithë reparti. Ndoshta e gjithë pjesa para që janë të rinj, ndoshta ndjehen në presion dhe nuk janë mësuar akoma të jenë edhe në presion të rezultatit. Duke parë që edhe objektivat pas fazës së parë ndryshuan, ndoshta nuk janë të pjekur për të mbajtur presionin”, deklaroi trajneri i skuadrës së Skënderbeut.