Protesta e “jelekë verdhëvë”, Franca mbyll Kullën Eiffel, muzetë dhe dyqanet

Kulla e Eiffelit në Paris do të mbyllet të shtunën për shkak të frikës nga dhuna e mëtejshme në rrugë nga protestat antiqeveritare.

Operatori i Kullës Eiffel ka thënë se kërcënimi për protesta të dhunshme të shtunën e bën të pamundur që të sigurohen”kushtet normale të sigurisë”.

Autoritetet e qytetit kanë deklaruar gjithashtu se janë duke e rritur mbrojtjen për monumentet e famshme pasi që ‘Arc de Triomphe’ u dëmtua javën e kaluar.

Ministri i Kulturës, Franck Riester, tha se muzetë si Louvre dhe Orsay, shtëpitë e operas dhe kompleksi Grand Palais do të jenë ndër vendet turistike që do të mbyllen gjithashtu.

Policia ka kërkuar që dyqanet dhe restorantet në Champs-Elysee dhe rrugët e tjera të njohura për shopping të mbyllen si dhe të largojnë objektet para lokaleve, si tavolinat dhe karriget.

Po ashtu edhe disa prej ndeshjeve të futbollit të parapara për ditën e shtunë janë shtyrë, si ajo mes Parisit dhe Montpellier, Monaco-Nice, Toulouse-Lyon, dhe Saint-Etienne – Marseille.

Në gjithë Francën, gjatë ditës së shtunë, do të jenë 89,000 policë në detyrë në ndërkohë që edhe automjetet e blinduara do të vendosen në kryeqytet, ka bërë të ditur kryeministri Edouard Philippe.

Parisi të shtunën e kaluar ka përjetuar disa nga trazirat më të mëdha dekadave të fundit.

Qeveria ka njoftuar se do të heqë dorë nga rritja e taksave për naftën në buxhetin e saj – që është edhe arsyeja e fillimit të protestave.

Por, pakënaqësia me qeverinë është rritur duke shpërthyer kështu në protesta edhe për çështje të tjera.

Një zyrtar i Ministrisë së Brendhsme i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se janë  të përgatitur për “dhunë ” gjatë ditës së shtunë, me aktivistë nga të dyja krahët, të djathtë dhe të majtë, që planifikojnë të jenë në Paris.