Komunikimi telefonik/ Miratohet në Kuvend heqja e roaming-ut me Kosovën

Qytetarët shqiptarë nuk do të paguajnë tarifa shtesë për përdorimin e celularit në Kosovë dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe me qytetarët e Kosovës kur vijnë në Shqipëri. Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në prani edhe të përfaqësuesve të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe POstare (AKEP), në cilësinë e komisionit përgjegjës miratoi dje projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nismë e deputetit Eduard Shalsi.

Në datën 30 maj, Kuvendi ka miratuar një rezolutë për heqjen e Roamingut, pasi një gjë të tillë e ka bërë edhe Kosova. Ndërkohë, u gjykua që të kalohet me një propozim konkret dhe të miratohet në Parlament heqja e roamingut nëpërmjet një ligji. Kjo përfshin edhe tarifat e shërbimeve të lidhura me roaming-un ndërkombëtar. Ky ndryshim ligjor mundëson që roaming të hiqet edhe me vendet e tjera. Ai krijon hapësirën e duhur për AKEP-in, për rregullimin e tarifave të roaming-ut ndërkombëtar.

Sipas të dhënave të AKEP-it, Kosova është vendi me të cilin shkëmbehet më shumë trafik në “Roaming” ndërkombëtar, në vendet e rajonit, ndaj dhe heqja e tarifave me marrëveshje dypalëshe Shqipëri-Kosovë do të sillte përfitime të mëdha për qytetarët e të dyja vendeve.

Inciativa merr shtysë nga dy zhvillime: së pari, nga modeli i Bashkimit Evropian, i cili prej qershorit të vitit 2017 ka hequr tarifat roaming për qytetarët evropianë për vendet e BE-së dhe, së dyti, nga rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në majin e vitit 2018, që kërkonte heqjen e tarifave roaming, në kuadër të integrimit ekonomik me Republikën e Shqipërisë. “Nga pikëpamja e aplikimit të BE-së gjykohet sot, që ka qenë projekt i suksesshëm, është rritur trafiku me hyrjen në fuqi të heqjes së tarifave roaming në qershor të 2017-s dhe shumë konsumatorë evropianë po shijojnë konektivitetin me kosto të ulët dhe cilësi të lartë në vendet e BE-së”, – u shpreh kryetari i Komisionit dhe nismëtar i projektligjit, Eduart Shalsi, në prezantimin për komisionit të propozimin konkret të heqjes së roaming-ut mes dy vendeve.

Përfaqësuesit e ministrisë së Energjisë dhe ata të AKEP-it dhanë dakordësinë e tyre për nismën dhe iu përgjigjën pyetjeve për çështje të caktuara nga deputetët e komisionit. Afati i vënies në zbatim të heqjes së roaming-ut mes dy vendeve, parashikohet pas muajit mars 2019.

Rajoni

Ndërkohë, katër vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor: Mali i Zi, Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia, që në vitin 2014 kanë nënshkruar një Marrëveshje Rajonale për Roamingun Ndërkombëtar, e cila përcakton se tarifat roaming midis këtyre vendeve, tarifat me shumicë midis operatorëve celularë dhe tarifat me pakicë për t’u aplikuar për pajtimtarët e shërbimeve celulare gjatë roamingut në këto vende do të rregullohen sipas çmimeve të aplikuara midis vendeve të BE-së. Rregullimi nga secili vend i tarifave roaming sipas kësaj rregulloreje është kryer duke aplikuar reduktim të përshkallëzuar të tarifave me shumicë dhe me pakicë të roamingut ndërkombëtar.

Qeveria shqiptare, në bashkëpunim dhe me AKEP-in, ka kryer procedurat për aderimin e Shqipërisë në këtë marrëveshje, duke u kërkuar këtyre vendeve përfshirjen e Shqipërisë në të. Bashkëpunimi rajonal për roamingun ndërkombëtar është bërë pjesë e Iniciativës së Ballkanit Perëndimor, duke marrë edhe mbështetjen e Komsionit Evropian, i cili po punon për asistencë ndaj vendeve të rajonit në këtë drejtim, nëpërmjet Këshillit Rajonal për Bashkepunim, organizëm që ka nxitur bashkëpunimin në këtë kuadër, duke kryer një serë takimesh të përbashkëta rajonale dhe studime për këtë çështje.