Çfarë mund të bënte opozitën të rikthehej në parlament?

Nga Ylli Manjani –

Vettingu në politikë nuk është më favor që për opozitën. Atë e gjykoi si të drejtë Komisioni i Venecias. Tashmë është detyrë shtëpie për shtetin.

Opozita e bëri të veten.

Ndërkohë parlamenti dhe shteti në tërësi është i gjithi monopartiak ende. Ndaj prania e opozitës për fasadë demokracie nuk ka kuptim.

Natyrishëm lind pyetje çfarë mund ta bënte opozitën të kthehej në Kuvend?

Përgjigja është Arësyeja.

Janë disa kushte që partia-shtet duhet ti plotësojë nëse e do opozitën. Nga ana tjetër opozita duhet ti artikukojë këto kushte.

1. Të merren disa masa të natyrës ekonomike e sociale të menjëhershme. Këto masa duhet të jenë:

a) ulja e TVSH për faturën e energjisë elektrike për çdo familje në 6%.
b) Energji falas për të varfërit.
c) TVSH 0% për produktet bazë ushqimore.
d) taksa dhe tarifa 0 për çdo shkollë dhe Universitet Publik.
e) kushte strehimi në kosto për çdo student
f) Tatim 10% për çdo pagë mbi 50 000 lekë.
g) arsim profesional FALAS për çdo të ri që kërkon të mësojë një zanat.
h) lehtësi fiskale për çdo biznes të ri dhe për ato që punësojnë mbi 50 Shqiptarë.
i) Tarifë speciale dhe trajtim preferencial për çdo çift që bëjnë më shumë se 3 fëmijë.
j) ndalim i menjëhershëm i kontratave të reja të PPP-ve dhe Komcensioneve.
k) njohjen dhe trajtimin si pronar të çdo ndërtimi që gjendet në Ortofoton e ALUIZNIT të vitit 2006.
l) ndalim me ligj i kompanie të marrë më shumë se një tender në vit në sektorin ku konkurron.

2. Një plan për të filluar ndërtimin e drejtësisë së pavarur, sipas konsensusit të Korrikut 2016. Për këtë qëllim nevojitet:

a) një komision parlamentar pozitë opozitë me përbërje të barabartë në numër për të drejtuar dhe mbikyrur fillimin e institucioneve të reja të drejtësisë.
b) plotësim, saktësim e korrektim i ligjeve në zbatim të Kushtetutës.

3. Për përgatitjen e vendit për zgjedhje, nevojitet nga Parlamenti:

a) një vlerësim real të situatës infrastrukturore të listave dhe kartave të identitetit. Në këtë funksion mund të konsiderohej edhe një shtyrje e datës së zgjedhjeve.
b) përfundimi i një reforme zgjedhore jo vetëm me konsensusin e partive të mëdha por edhe me të voglat, duke konsideruar edhe ndërhyrje në sistemin zgjedhor.

4. Vettingu në politikë të bëhet sipas përcaktimeve të Komisionit të Venecias. Kjo do të kërkonte dialog intensiv politik.

Këto mund të ishin 4 çështje themelore, pranimi në bllok i të cilave mund ta bënte opozitën të mos digjte mandatet dhe të ishte bashkëpunuese në Kuvend.

Nga të 4 çështjet, pa asnjë dyshim e para duhet të jetë e panegociueshme.

Shumica prej këtyre propozimeve janë premtuar nga Edi Rama që në vitin 2013. Ndaj, duhet të jenë të pranueshme nga Partia-Shtet…

Nëse nuk pranohen këto gjera të nevojshme për njerëzit jo për partitë, atëherë vërtetë nuk ka kuptim as parlamenti e as politika.