Bashkohuni me ne! Protesta e studentëve përhapet në të gjithë Shqipërinë

Jo vetëm në Tiranë. Studentët janë ngritur në protestë edhe në qytete të tjera.  Studentët e Durrësit, Korçës, Shkodrës, Vlorës dhe Elbasanit kanë dalë në protestë.

Ndërkohë mësohet se studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe atë të Elbasanit po nisen drejt Tiranës.

Kërkesat e studentëve janë tre, përgjysmim të tarifës së studimit, kushte më të mira në konvikte dhe rritje të buxhetit në universitete.

Një ditë më parë, qeveria u tërhoq nga pika 4 e VKM 288 për të mos paguar taksën për lëndët mbartëse.

Në Shkodër

Studentët janë vendosur para rektoratit dhe i bëjnë thirrje qytetarëve të bashkohen.

“Bashkohuni me ne! Hajdeni na përkrahni të mbrojmë të drejtat që do të jenë edhe të fëmijëve tuaj”

Studentët janë të vendosur të vijojnë protestat në Shkodër dhe nëse kanë nevojë janë gati ti bashkohen Tiranës.

Studentët thërrasin: “Duam të drejtat tona!”

Në Vlorë – Edhe studentët e universitetit “Ismail Qemali” bëjnë thirrje për tu bashkuar.

Në Elbasan – protesta vijon para Universitetit ndërsa dy autobusë janë nisur drejt Tiranës.

Në Korçë studentët po marshojnë drejt qendrës.