Analiza e “Fenomenit”: Mos më krahasoni me Ronaldon, na bashkon vetëm goli

“Fenomeni” Ronaldo ka dhënë sot një intervistë për “Gazzetta dello Sport” duke folur për CR7, teksa ai ka preferuar që të mos bëjë krahasim me portugezin, të cilin e cilëson shumë të ndryshe.

“Nuk dua të them se koha ime ishte më e vështirë, por ne hasëm situata të ndryshme dhe me skuadra të ndryshme. Ndikimi brenda kampionatit italian është, gjithashtu, i ndryshëm. Isha 20 vjeç, teksa i kisha arritur disa gjëra te PSV dhe Barcelona, por jo shumë, sigurisht jo gjithçka. Isha ende projekt i një kampioni, ose të paktën u ndjeva kështu. Cristiano arriti në Itali në moshën 33-vjeçare, në kulmin e pjekurisë së tij si lojtar.

Do të thosha se jemi të ndryshëm në role, edhe nëse tani Cristiano gjendet më pranë golit. Ndoshta në të kaluarën, një asist na ngrohte aq shumë, sa një gol. Tani, nuk mendoj se ndodh kështu. Në dëshirën për gola, ne të dy jemi të barabartë”, ka thënë braziliani për gazetën italiane.