”Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, Meta në Cërrik: Solidariteti aksion i vazhdueshëm

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në kuadër të nismës që ka ndërmarrë ”Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar, është ndalur në Cërrik. Kreu i Shtetit, me kryebashkiakun Altin Toska ishin të pranishëm në seancën e dhurimit të gjakut nga shumë vullnetarë të rinj e të reja dhe ekipi i peshëngritjes së Shtërmenit.

“Kënaqësi që jam në Bashkinë e Cërrikut! Falënderoj kryetarin e Bashkisë, zotin Toska dhe të gjithë qytetarët, në mënyrë të veçantë vajzat dhe gratë e kësaj bashkie, të cilat janë në krye të këtij solidariteti për dhurimin e gjakut që është një aksion i vazhdueshëm në funksion të garantimit të gjakut për të gjithë fëmijët dhe të prekurit nga talasemia. Por edhe për të gjithë qytetarët, të cilët kanë nevojë për gjak. Kjo është një seancë e veçantë, sepse Bashkia dhe qytetarët e Cërrikut ua dedikojnë qytetarëve të Lushnjes, të cilët kanë nevojë më shumë se çdo bashki tjetër e vendit për dhurimin e gjakut”,-u shpreh Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit ka falenderuat të prnishmit edhe nëpërmjet një statusi në faqen e tij në rrjetet sociale. ”Dua të falënderoj edhe ekipin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, që punon me përkushtim për të përmbushur një kalendar sistematik, që garanton qëndrueshmërinë e funksionimit të dhurimit të gjakut në të gjithë vendin tonë”,-theksoi Presidenti i Republikës.

Postimi në facebook

Me një zemër dhe ndjenjë humanizmi të madhe, vajzat dhe gratë e Cërrikut janë vënë në krye të solidaritetit të banorëve të kësaj Bashkie për dhurimin e gjakut. Duke falënderuar kryebashkiakun, Altin Toska dhe shumë qytetarë të Cërrikut, të cilët iu përgjigjën me vullnetarizëm thirrjes së ”Aleancës për Dhurimin e Gjakut” në mbështetje të qytetarëve të Lushnjes, jam i sigurtë që kjo fushatë ndërgjegjësimi për këtë kauzë humane nuk do ndalet për të përmbushur qëllimin e saj fisnik dhe qytetar.