Shfarosja e 6-të e Tokës ka nisur

Thuajse i gjithë komuniteti i shkencëtarëve është në një mendje; në Tokë gjallesat janë shfarosur plot pesë herë në miliona vite ekzistencë të planetit tonë.

Ajo që ndan ata është për shfarosjen e gjashtë. Shumë thonë se nuk ka nisur ende, e po kaq deklarojnë se shfarosja e gjashtë në masë në planetin tonë ka nisur prej disa vitesh tashmë. Grupit të dytë i përket studimi i një ekipi shkencëtarësh të publikuar në revistën “Proceedings of National Academy of Sciences”.

Në këtë studim kanë marrë pjesë mbi 200 shkencëtarë në mbarë botën, që u bënë bashkë për të studiuar elementët kryesore që karakterizojnë, sipas tyre, nisjen e shfarosjes.

Një prej këtyre elementeve është edhe shumëllojshmëria e gjallesave. Sipas tyre, shumë specie që deri para pak vitesh ishin nën kërcënim, tani ose janë zhdukur, ose pritet të zhduken brenda një kohe të shkurtër.