Protesta e studentëve, Mehmetaj: Arsimi duhet të jetë falas

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj ka qenë e ftuar këtë të enjte në emisionin “45 minuta” të gazetarit Denis Minga, për të folur rreth protestës së zhvilluar përgjatë paradites së sotme nga studentët e vendit përkundrejt tarifës për provimet e mbartura, kushtet e konvikteve, tarifës së studimit dhe pjesëmarrjes së një përfaqësuesi të studentëve në Bordin e Administrimit.

Kejdi Mehmetaj u shpreh se ndonëse Ministria e Arsimit është përpjekur përgjatë gjithë ditës që të mënjanohet nga përgjegjësia e saj ndaj pikave për të cilat kanë protestuar studentët, Ministria e Arsimit, sipas saj, është pikërisht ajo e cila harton politikën përgjegjëse të arsimimit të studentëve shqiptarë.

”Sado që kërkon t’i shmanget përgjegjësive nuk mund t’i shpëtojë syve të studentëve. Ministria bën politikën përgjegjëse dhe sado që kërkon të tërhiqet nga e vërteta e kësaj historie është se pagesat dhe tarifat e studentëve shqiptarë ndikohen drejtpërdrejtë nga VKM-ja e qeverisë”, tha ajo.

Duke rikujtuar se vet ministrja Nikolla pohoi se nuk ka patur asnjë lloj diskutimi për çështjet e sipërpërmendura me studentët, Mehmetaj u shpreh se synimi kryesor i Ministrisë së Arsimit është pikërisht prodhimi i studentëve apatikë. Deputetja e LSI-së u shpreh e bindur se përgjysmimi i tarifës është tërësisht i mundur, e madje theksoi se tarifa e arsimit duhet të jetë falas.

”Nëse një student shkon në Gjermani, është 150 euro në vit dhe duhet marrë parasysh se standardi i pagave është më i lartë. Shqipëria po vuan për papunësi nga një ekonomi e rënduar. Duhet të paguhet për vërtetimet, për tekstet shkollore për çdo sezon, për konviktet dhe në fund çfarë marrin? Kushte skandaloze. Nëse studentëve iu duhet të udhëtojnë nga pika të ndryshme të Shqipërisë, për to nuk ka abone të përballueshme. Pra, asnjë nga këto kosto nuk merret nga qeveria për t’u mbuluar. Filozofia e studentëve është mjaft e thjesht, kërkojnë reduktimin e kostove për t’u arsimuar dhe shkolluar”,-tha Mehmetaj.