Lottito i mbyll derën De Biasit: Tare dhe Inzaghi me ne edhe për shumë vite

Presidenti i Lazio-s, Claudio Lottito ka dalë para mediave, i shoqëruar nga drejtori sportiv Igli Tare e trajneri Inzaghi për të sqaruar disa gjëra dhe për të përgënjeshtruar lajmet e fundit.

“Prej shumë kohësh po shoh që publikohen lajme që kanë si qëllim vetëm destabilizimin e ambientit. Jemi të qetë, si një familje e madhe, ku natyrisht ka edhe këndvështrime të ndryshme. Megjithatë, disa situata nuk ekzistojnë. Dua respektimin e së vërtetës dhe jo lajme false. Kemi ndërmarrë një rrugëtim rritjeje në aspektin e infrastrukturës dhe të objektivave.Mund të ndodhë që ndonjë ndeshje të mos ecë si duhet, por kjo nuk do të thotë që po afron katastrofa apo janë përkeqësuar marrëdhëniet.

Trajneri do qëndrojë për shumë vite me ne, drejtori sportiv do jetë po ky për shumë vite dhe menaxheri i klubit, Angelo Peruzzi, do të jetë i njëjti për shumë vite. Të jetë e qartë kjo gjë, nuk jemi tranzitorë, por përfundimtarë. E di që kam një Ferrari që po ecën me shpejtësi të kufizuar, por rëndësi ka që të gjejmë një zgjidhje që të ecim sërish shpejt”, deklaroi Lottito.