Juventus-Inter, ja “dilemat” e formacioneve të derbit të Italisë

Juventus-Inter nuk është një sfidë e zakonshme në futbollin italian, por një duel që gjithmonë ka rezervuar emocione të veçanta. Një ndër aspektet më të rëndësishme është formacioni që do të hedhin në fushë nesër në mbrëmje të dy trajnerët.

Allegri me shumë mundësi do t’i besojë skemës së tij të zakonshme 4-3-3. Në portë është i sigurt Szcesney, në mbrojtje Cancelo në krahun e djathtë, ndërkohë që De Sciglio do të zëvendësojë Alex Sandron e dëmtuar. Në qendër nuk ka shumë dyshime pasi dyshja Chiellini dhe Bonucci do të jenë titullar, në përjashtim të ndonjë surprize. Dyshimi i vetëm është në mesfushë, pasi Bentacur është në dyshim pas një problemi në shpinë. Nëse ai nuk ia del, Allegri mund të hedhë në fushë nga minuta e parë Emre Can që është rikuperuar plotësisht. Pjanic dhe Matuidi do të kompletojnë mesfushën, ndërkohë që në sulm duket se do të konfirmohet treshja, Mandzukic-Ronaldo-Dybala.

Në krahun tjetër Spalletti ka më pak dyshime, teksa do të luajë me të njëjtën vendosje. Në portë është si gjithmonë veterani Handanovic. Në mbrojtje D’Ambrosio dhe Asamoah konfirmohen në krahë, ndërkohë që Skriniar dhe de Vrij formojnë dyshen e frikshme në qendër. Përpara tyre Brozovic do të jetë si gjithmonë regjisori, ndërkohë që Vecino dhe Joao Mario do të kenë më shumë detyrë për të thyer aksionet e kundërshtarëve. Në sulm Politano rikthehet në sulm së bashku me Perisic për të mbështetur Icardin.