Ja qëndrimet e shteteve të NATO-s për ushtrinë e Kosovës

Për formimin e ushtrisë së Kosovës, brenda NATO-së ka qëndrime të ndryshme. Gazeta Express e ka siguruar një dokument në të cilin janë bërë të ditura qëndrimet e shteteve të organizatës më të fuqishme ushtarake në botë, për transformimin ose jo të FSK-së në forcë ushtarake. Amerikanët janë pro ushtrisë, por me mandat të kufizuar territorial. Gjermania dhe Turqia befasojnë me qëndrimet e tyre. Britania e Madhe është shumë e qartë. Insistimi i Qeverisë së Kosovës për ta transformuar FSK-në në ushtri ka ngjallur debat të madh edhe në instancat më të larta të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kështu, në të ashtuquajturin Ministral i Jashtëm të NATO-s, të mbajtur me 4-5 dhjetor, është diskutuar për Ballkanin Perëndimor me theks të veçantë për raportet e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë. Pjesëmarrëse në këtë takim të ministrave të vendeve të NATO-së, ka qenë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini. Në një raport ekskluziv që ka siguruar Gazeta Express, bëhen të ditura të gjitha qëndrimet e shteteve anëtare të NATO-së për transformimin ose jo të FSK-së në ushtri të Kosovës.

Në përgjithësi janë shumë të pakta shtetet e NATO-së që janë kundër formimit të ushtrisë së Kosovës. Të qarta në këtë drejtim janë vetëm ato shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, si Spanja e Sllovakia. Mirëpo, numri i shteteve që e kundërshtojnë transformimin e ushtrisë me ligj është pothuajse i barabartë me ato që e mbështesin një formë te tillë. Kështu, negativ ndaj formimit të ushtrisë është vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Johan Stoltenberg. Ai ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës po transformohen kundër këshillave që i ka dhënë NATO-ja. “Transformimi i FSK-së në një kohë jo të duhur dhe kundër këshillave të NATO-s është shqetësim për shtimin e tensioneve”, ka thënë Stoltenberg. Në Mbledhjen e Ministralit të Jashtëm ka pasur shtete që janë deklaruar të shqetësuara për formimin e ushtrisë së Kosovës. Madje as disa prej shteteve, që konsiderohen përkrahëse të mëdha të shtetësisë së Kosovës, nuk e duan transformimin e menjëhershëm të FSK-së, edhe pse autoritetet e Kosovës e kanë paralajmëruar me 14 dhjetor votimin e Projektligjit për Ushtrinë.

Megjithatë, aksionarja më e madhe e NATO-së, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtet ky që paguan më së shumti për organizatën më të fuqishme ushtarake në botë, nuk i përmend ndryshimet kushtetuese. Amerikanët, sipas dokumentit që e ka siguruar Express, kërkojnë maturi dhe transparencë gjatë gjithë procesit. “Është e drejtë e Kosovës të ketë ushtri. Ne mbështesim krijimin e ushtrisë në mënyrë graduale, transparente dhe me mandat të kufizuar territorial”, bëhet e ditur nga ky dokument, ku thuhet gjithashtu se SHBA po e përcjell me shqetësim rritjen e ndikimit rus në rajon. Gjermania thotë se Kosova ka të drejtën që të ketë ushtri, por përfaqësuesi i këtij shteti në NATO e përmend respektimin e Kushtetutës.

“Nuk e vëmë në pikëpyetje të drejtën e Kosovës për të pasur ushtrinë e saj. Ushtria duhet të jetë gjithëpërfshirëse, edhe me minoritetin serb, dhe të bëhet në koordinim me aleatët dhe në respektim të kushtetutës”. Interesant është qëndrimi i Turqisë, shtetit që konsiderohet aq mik, sa liderët Erdogan e Thaçi quajnë njëri-tjetrin “vëlla”. Shteti turk i kërkon Kosovës të mos ngutet në veprimet e saj.
“Turqia e respekton të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri. Kosova duhet të përmbahet ndaj veprimeve të ngutshme”. Mogherini në këtë takim ka ripërsëritur se kundërshton taksën që Kosova i ka vënë mallrave serbe e boshnjake. Ndërsa nuk pajtohet as me transformimin e ushtrisë. Ajo i shpreh disa vërejtje të vogla edhe për Serbinë. Rumania është prej shteteve që ka shprehur shqetësim rreth transformimin e ushtrisë së Kosovës. “Shprehim keqardhjen për transformimin e nxituar. NATO duhet të shikojë angazhimin në Kosovës dhe reagimin e KFOR-it në rast se FSK shkon në Veri”, ka thënë kryediplomatin rumun.

Edhe Greqia, si një nga shtetet e BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, është shprehur e shqetësuar për krijimin e ushtrisë. Pak a shumë në qëndrime të njëjta me këtë të Greqisë është edhe Spanja. Spanja ka një ide të cilën ia ka dhënë NATO-s. Përfaqësuesi spanjoll ka thënë se duhet të ndalohet ndihma e dhënë ndaj FSK-së, nëse Kosova e transformon atë në ushtri. Shtetet e rajonit në parim janë pro formimit të ushtrisë. Në këtë drejtim më të qartë pro ushtrisë janë Mali i Zi dhe Kroacia. Përfaqësuesit e këtyre dy shteteve nuk e kanë përmendur fare respektimin e kushtetutës, ato thjesht kanë thënë që Kosova ka të drejtë të ketë ushtrinë e vet. Pro krijimit të ushtrisë është edhe Sllovenia, por që kjo e fundit e përmend respektimin e kushtetutës.

Shtetet skandinave nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim rreth çështjeve specifike. Kanë thënë vetëm se duhet të mos provokohet situata mes dy shteteve. Franca i njeh Kosovës të drejtën legjitime për të pasur ushtri, ndërsa kërkon të mos ketë veprime të ngutshme. Ndërsa, e pastër në qëndrim pro krijimit të ushtrisë është Britania e Madhe. Kjo superfuqi ia njeh Kosovës të drejtën për formimin e ushtrisë, pa e përmendur respektimin e kushtetutës. E, Sllovakia shprehet ashpërisht kundër formimit të ushtrisë së Kosovës. “Transformimi është shqetësues, më i rrezikshëm se ndryshimi i kufijve. Duhet të vlerësojmë reagimin në rast të operacioneve të mundshme të FSK-së në veri”, thuhet në qëndrimin zyrtarë të Sllovakisë./Express