Hysaj drejt transferimit tek Chelsea, Napoli kërkon kampionin e Botës

Elseid Hysaj duket i destinuar për t’u larguar nga Napoli. Nga blerja e Malciut, që mbulon pikërisht krahun e djathtë të mbrojtjes, rol të cilin bën Hysaj, të mosmarrëveshjet për zgjatjen e kontratës e së fundmi tek hedhja në sulm e drejtuesve napolitanë për të siguruar shërbimet e Benjamin Pavard, mbrojtësit të Stuttgartit, kampion i freskët i botës me Francën.

“Corriere dello Sport” shkruan se Napoli e ka shumë seriozisht për Pavard, aq më tepër që 22-vjeçari bën disa role në prapavijë, si mbrojtës qendre dhe në krahun e majtë, ku luan Hysaj. Mund të përshtatet shumë mirë edhe me mbrojtjen me 3. Ancelotti i pëlqen shumë karakteristikat e tij, sidomos në fazën sulmuese.

Gjithsesi, marrëveshja mund të arrihet vetëm në verë, pasi të hyjë në fuqi kluazola e largimit prej 35 milionë eurosh në kontratën e francezit me klubin e Bundesligës. Arritja e një marrëveshjeje nuk do të jetë e lehtë, sepse konkurrenca për Pavard do të jetë shumë e fortë, aq me tepër kur në garë janë edhe gjigantët e Bayernit të Mynihut.