Haradinaj i prerë për ushtrinë, zbulon telefonatën me Stoltenberg

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është treguar i vendosur për ushtrinë Kosovës.

Haradinaj përmes një postimi në “Facebook” ka zbuluar se ushtria do të formohet më 14 dhjetor dhe se këtë ia ka bërë të ditur sot, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Pavarësisht kundërshtive të disa vendeve anëtare të NATO-s, kryeministri i Kosovës është shprehur se  FSK do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.

“Sot zhvillova një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s z. Jens Stoltenberg.

Shpreha falënderimin tim dhe të popullit të Kosovës për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe kontributin e NATO-s për një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Gjithashtu shpreha respektin dhe ndjenjën e thellë për shumë ushtarë të NATO-s që kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë.

Duke shprehur mirëkuptim për qëndrimin e tij nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit, njëkohësisht e informova Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore.

FSK do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjërë. Institucionet e Kosovës do të sigurohen të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR dhe NALT, pasi që ndajmë të njëjtat shqetësime të sigurisë, interesat dhe vlerat”, shkruan ai.