De Biasi “makth” i vëllezërve Inzaghi, gati të marrë drejtimin e Lazios

Situata te skuadra e Lazios nuk është aspak e qetë, teksa trajneri Inzaghi është vënë nën shënjestër për rezultatet negative në ndeshjet e fundit. Mediat italiane shkruajnë se pasuesi i tij në krye të bardhekaltërve mund të jetë Gianni De Biasi, i cili vijon të jetë ende i papunë.

Ish-trajneri i kombëtares së Shqipërisë është mjaft i pëlqyer nga drejtori sportiv, Igli Tare. Drejtuesi shqiptar duke njohur atë që trajneri nga Sarmede bëri me kombëtaren kuqezi, ia ka sugjeruar edhe presidentit Lottito.

Gianni De Biasi përflitet në mediat italiane edhe si zëvendësuesi i mundshëm i trajnerit aktual të Bologna, i Inzaghit tjetër. 62-vjeçari ua ka “prishur gjumin” dy vëllezërve. Ai do ta pranonte me kënaqësi një detyrë të re në Seria A, për më tepër në drejtimin e një klubi të përmasave ndërkombëtare. Hera e fundit kur De Biasi drejtoi në Seria A ishte në sezonin 2009-2010, kur drejtoi skuadrën e Udinese-s, edhe pse për vetëm dy muaj.