Akuza të forta të Berishës ndaj Thaçit, Baton Haxhiut dhe Klan Kosovës

Berisha nuk fal kur flitet për çështjen kombëtare. Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë akuza të forta ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi të cili e ka quajtur një “argat të Serbisë në Prishtinë”.

Në intervistën dhënë për televizionin T7 të Kosovës, Berisha tha se Thaçi është duke ndjekur axhendën e Serbisë së Madhe me idenë e tij të ndarjes së Kosovës.

“Askush nuk është dakord me Thaçin për këtë ide. Kjo ide është plan i Serbisë dhe nuk duhet të përkrahet nga askush. Thaçi ka qenë komandant i UÇK-së? Kjo ska rëndësi. Njerëzit gjykohen nga veprimet e tyre në vazhdimësi. Në këto momente ai është duke zbatuar pikë për pikë agjendën e Serbisë për ndarjen e Kosovës” – tha Berisha.

Por Berisha nuk la jashtë akuzave edhe gazetarin Baton Haxhiu të Klan Kosovës.

“Baton Haxhiu është kryesori në këtë proces. Ai e është duke ndihmuar Thaçin për idenë e ndarjes së Kosovës. Batoni është mbështetësi kryesor në krejt këtë proces. Tashmë Thaçi ka edhe mbështetje mediatike sepse Klan Prishtina (Klan Kosova) është kthyer si Tele Beogradi” – tha Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer se kur ka dëgjuar për herë të parë idetë për ndarjen e Kosovës. Në emisionin “Pressing”, në televizionin T7 të Kosovës tha se për herë të parë çështjen e ndarjes së Kosovës e ka dëgjuar në vitin “92.

“Nga fundi i vitit 1992, dhe në vazhdim shumë herë. Greqia asokohe drejtohej nga kryeministri Konstantinos Mitsotakis që ka pasur plan për ta copëtuar Kosovën. Plani për ndarjen e Kosovës është ringjallur sërish në 2005-ën” – tha Berisha sipas të cilit për copëtimin e Kosovës është folur atë vit në Selanik, në një takim të udhëheqësve të Ballkanit, më pak se një muaj pasi ai ishte bërë kryeministër.

“Ishte një ofertë e Vuk Drashkoviçit”, – ka kujtuar Berisha, duke iu referuar shkrimtarit e politikanit serb. “Kam refuzuar në mënyrë kategorike. Thashë se nuk e pranoj një variant të tillë, sepse është variant i Serbisë së Madhe”, – ka theksuar ai.