Anulohet vizita e Juncker në Francë për shkak të protestave

Për shkak të protestave të “jelekëve të verdhë” në Paris, është anuluar vizita e presidentit të Komisionit Evropian (KE) Jean-Claude Juncker në Francë, e planifikuar për nesër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç mësohet nga burimet e KE-së, Juncker pritej që nesër t’i adresohej Kuvendit Kombëtar të Francës, por programi në fjalë është anuluar për shkak të seancës së “jelekëve të verdhë” në Kuvend.

Juncker planifikohej të ketë një darkë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe të takohet me kryetarin e Kuvendit Richard Ferrand, ndërkaq edhe këto programe janë shtyrë.

Protestat në Francë filluan më 17 nëntor për shkak të rritjes së çmimit të karburantit me 20 për qind brenda një viti, duke u organizuar nën emrin “jelekët e verdhë”. Protestat më pas u shndërruan në trazira, me kërkesa më të gjera ndaj presidentit Macron dhe qeverisë franceze.

Në incidentet që ndodhën gjatë protestave, deri më tani 2 persona e kanë humbur jetën, ndërsa 1.043 persona në mesin e të cilëve 222 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë plagosur si dhe 1.424 të tjerë janë ndaluar.