Francë, Parlamenti kthen në ligj luftën kundër “Fake News”

Në Francë, Parlamenti ka miratuar një ligj të ri, që u jep gjyqtarëve më shumë kompetenca për të urdhëruar heqjen e lajmeve të rreme gjatë fushatave elektorale.

Kritikët argumentojnë se ligji kontradiktor kundër manipulimit të informacionit, në praktikë mund të vërë në rrezik demokracinë dhe të censurojë shtypin.

Ligji, i hartuar nga presidenti Emanuel Makron, ishte hedhur dy herë poshtë nga Senati përpara se të miratohej nga Parlamenti.

Ai konsiderohet si përpjekja e parë e Europës perëndimore për të ndaluar publikimin e materialeve të falsifikuara. Makron ka deklaruar se beson se përdorimi i internetit ka nevojë për një rregullore.

“Ky është kushti bazë për një internet të hapur, të lirë dhe të sigurtë, ashtu sikurse ishte vizionuar nga themeluesit e tij”, tha Makron në forumin vjetor për qeverisjen e internetit, të mbajtur në Paris.

Kandidatët dhe partitë politike tani do të mund t’i drejtohen gjykatës për të ndaluar përhapjen e informacioneve të rreme gjatë 3 muajve përpara zgjedhjeve.

Ligji i lejon gjithashtu entit rregullator mediatik francez të ushtrojë autoritetin për të pezulluar transmetimin e kanaleve televizive të kontrolluara nga një shtet i huaj, që përmes keqinformimit synojnë cënimin e procesit zgjedhor.

Mbështetësit kanë deklaruar se synimi i ligjit është të luftojë përhapjen e atyre që njihen si “fake neës” dhe jo të censurojë opinionin. Kushdo që e shkel atë mund të përballet me 1 vit burg dhe një gjobë që shkon deri në 75 mijë euro.