Standardi 13 mln dhe borxhi i fshehur

Nga: EDUARD ZALOSHNJA

Segmenti i Rrugës së Kombit, Rrëshen-Kalimash, pati një kosto mesatare prej 13 milionë eurosh për kilometër. Pavarësisht se ishte një autostradë tejet e vështirë malore, me një dopio tunel 6 kilometra të gjatë dhe me dhjetëra ura e vepra madhore arti, rezultoi me një mbishpenzim mesatar prej 3.5 milionë eurosh për kilometër. Për atë mbishpenzim, prokuroria paditi Lulzim Bashën (atëherë ministër i transportit), por ai shpëtoi pa u lagur, falë teknikaliteteve procedurale juridike.

Kur u largua Berisha nga qeverisja, rezultoi se qeveria u kishte plot 720 milionë dollarë borxhe të prapambetura firmave ndërtuese dhe firmave të tjera që kishin kryer punime ose furnizime për qeverinë. Kjo shifër përbënte një borxh të fshehur, i cili nuk figuronte në shifrat zyrtare të borxhit publik.

Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet, këto standarde të qeverisë së mëparshme, u ruajtën. Autostradat e reja, sado fushore (jo si ajo Rrëshen-Kalimashit), e kanë tani koston mesatare afër 13 milionë eurove. Ndërsa, detyrimi ndaj ndërtuesve ose firmave që ofrojnë shërbime, nuk mbahet më si borxh i prapambetur, por sigurohet pagesa e tyre me këste në të ardhmen, përmes formulës PPP. Dhe si më parë, këto detyrime nuk figurojnë në shifrat zyrtare të borxhit publik.

Por, sa është barra e këtyre borxheve të fshehura mbi kurrizin e taksapaguesve?

Sipas projekt-buxhetit për vitin 2019, interesat vjetore për borxhin publik zyrtar të akumuluar ndër vite, kapin shifrën 250 milionë euro. Ndërsa, pagesat vjetore ndaj koncesionarëve (disa të mbartur qysh nga koha e Berishës), kapin shumën 100 milionë euro në 2019-ën. Dhe me shtimin e koncesioneve PPP ose ato me garanci shtetërore, kjo shumë do të rritet nga viti në vit, duke u barazuar dikur me atë të interesave vjetore të borxhit zyrtar publik.

Pikërisht për këtë arsye, FMN-ja dhe Banka Botërore e kanë paralajmëruar qeverinë shqiptare, që të mos japë koncesione të tjera. Sepse një qeveri e ardhshme, nuk do të jetë dot në gjendje të paguajë edhe këstet e borxhit publik zyrtar edhe këstet e koncesioneve PPP. Por autostradat e reja duhen apo jo? Edhe disa shërbime që i kryejnë më mirë kompanitë private, duhen. A mos ndoshta ia vlen të sakrifikojmë në të ardhmen, për t’i patur që sot ato?

Në fakt, nuk kemi nevojë ta bëjmë një sakrificë të tillë. Mjafton të jemi aq efecientë në mbledhjen e tatimeve e taksave sa fqinjët tanë veriorë, Mali i Zi dhe Serbia, dhe në Thesarin e Shtetit do të futeshin më 2019-ën, plot 1.3 miliardë euro më shumë se sa parashikojmë të mbledhim. Një shumë e mjaftueshme kjo, për të financuar të gjitha projektet e reja vjetore koncesionare.

Serbia parashikon të fusë në Thesarin e Shtetit rreth 42% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), Mali i Zi 40% të PBB-së dhe Shqipëria vetëm 28% të PBB-së. Në qoftë se e imagjinojmë ekonominë kombëtare si një pemë që prodhon 100 fruta, i bie që Serbia të vjelë për thesarin 42 fruta nga pema, Mali i Zi 40 fruta dhe Shqipëria vetëm 28 fruta (madhësia e vetë frutave të secilit vend, ndryshon në varësi të madhësisë së ekonomisë përkatëse, por numri i frutave të vjela tregon eficiencën e vjeljes, në kushtet kur tarifat tatimore janë të ngjashme).

Dy burimet e diferencës së madhe në vjelje (krahasuar me dy fqinjët veriorë), janë TVSH-ja dhe taksat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Ndërkohë, të tria vendet kanë tarifa tatimore të përafërta (në Serbi e Shqipëri, tarifa maksimale e TVSH-së është 20%, ndërsa në Mal të Zi 19%; edhe tarifat për taksat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, janë pothuaj identike).

Por me gjithë tarifat fare të përafërta, të ardhurat nga TVSH-ja në Mal të Zi, parashikohen sa 14.6% e PBB-së, në Serbi sa 10.5% e PBB-së dhe në Shqipëri vetëm sa 8.8% e PBB-së. Të ardhurat nga taksat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, parashikohen të jenë në Serbi sa 12.7% e PBB-së, në Mal të Zi sa 11.8% e PBB-së dhe në Shqipëri vetëm sa 5.6% e PBB-së (shihni grafikët shoqërues).

Që të mos i biem në qafë vetëm një pale, ky rendiment i ulët i vjeljes së tatimeve e taksave (krahasuar me dy fqinjët veriorë), ka qenë kronik edhe në qeverisjet e mëparshme (si rezultat i evazionit fiskal dhe paaftësisë ose mosdëshirësh për t’i përfshirë të gjithë operatorët ekonomikë në skemën fiskale). Në fakt, vitet e fundit, rendimenti fiskal është përmirësuar pak. Por sidoqoftë, mbetet shumë i ulët. Në qoftë se rendimenti i vjeljes së TVSH-së dhe taksave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore do të ishte sa mesatarja e rendimentit të të dy fqinjëve tanë veriorë, në Thesarin e Shtetit do të futeshin 5 miliardë euro, e jo 3.7 miliardë, sa ç’janë parashikuar në projekt buxhetin e 2019-ës. Plot 1.3 miliardë euro më shumë. /AFP/