Kosova siguron “play-off” e Euro 2020, ja urimi special i Armando Dukës

Kosova ka bërë mrekullinë  në Divizionin D të Ligës së Kombeve, me “Dardanët” që fituan grupin 3. Një sukses historik për të besuarit e Bernard Challandes, të cilët afrohen akoma e më shumë me grupet e Euro 2020.

Fitorja 4-0 ndaj Azerbajxhanit është përshendetur edhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili i uroi për këtë sukses dhe që po bëjnë realitet rrugën e nisur nga legjenda dhe ish-Presidenti i ndjerë, Fadil Vokrri.

Urimi i plotë i FSHF-së:

Përfaqësuesja e Kosovës me fitoren e arritur mbrëmë në ndeshjen e vlefshme për kompeticionin UEFA Nations League, ndaj përfaqësueses së Azerbajxhanit me rezultatin 4-0 në stadiumin “FADIL VOKRRI” ka siguruar vendin e parë në grup dhe ka fituar të drejtën e kalimit në fazën “Play-off” për EURO 2020. Kjo ishte një arritje historike për përfaqësuesen e shtetit të Kosovës, e cila ka kaluar njëkohësisht edhe në Ligën C, sa i përket UNL. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka uron Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Presidentin e saj, z. Agim Ademi për këtë sukses të arritur dhe që po bëjnë realitet rrugën e nisur nga legjenda dhe ish-Presidenti i ndjerë, Fadil Vokrri.