SHBA pas zgjedhjeve, ja ç’do të ndodhë më tej

Nga Ashish Kumar Sen

Demokratët rimorën drejtimin e Kongresit, ndërsa republikanët forcuan shumicën e tyre në Senat, në zgjedhjet e mesit të mandatit të së martës në SHBA. Po cilat do të jenë pasojat e këtyre zgjedhjeve. Cfarë do të ndodhë më tej? Ja se çfarë thonë analistët tanë.

Daniel Frid, ish-drejtori i lartë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare nën presidentët Klinton dhe Bush, dhe ish-ndihmës i sekretarit të Shtetit për Evropën:

Presidenti Donald Trump, ka shpenzuar shumë nga energjia e tij, duke i sulmuar aleatët e Amerikës, dhe madje edhe idenë e aleancave të rrënjosura në vlerat e përbashkëta. Në vend të tyre ai përdori gjuhën e nacionalizmit, unilateralizmit dhe cinizmin e një marrëveshje-bërësi.

Zgjedhjet nuk kanë të bëjnë me politikën e jashtme, por rezultati i tyre mund të forcojë bazën politike të asaj pjese të Amerikës, që mbështet një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla, dhe që favorizon demokracinë.

Pjesërisht si rezultat i agresionit dhe ndërhyrjes së Putinit në demokracinë amerikane, demokratët kanë rizbuluar tek vetja Herri Trumanin – një angazhim për një politikë të fortë të jashtme në mbrojtje të lirisë. Ata mund të jenë në gjendje të bëjnë një kauzë të përbashkët, me republikanët e një mendësie të ngjashme. Nacionalizmi, nuk është më vala e të ardhmes së Amerikës.

Berri Pavël, ka shërbyer si ndihmës i posaçëm i presidentëve Busha dhe Obama për politikën dhe strategjinë e mbrojtjes, në stafin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare:

Rikthimi tek qeverisja e ndarë, mund të sugjerojë për disa, se politika e jashtme amerikane e udhëhequr nga presidenti Donald Trump, do të jetë tani më i kufizuar dhe më pak e guximshme. Sigurisht që do të ketë raste, kur kjo mund të jetë e vërtetë.

Megjithatë, kjo Shtëpi e Bardhë mund të kërkojë shumë të arrijë marrëveshje me opozitën demokratike në Kongres, mbi një gamë të gjerë çështjesh të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes. Shumë prej çështjeve të politikës së jashtme në prag të ardhjes së epokës së Konkurrencës së Fuqive së Madhe, janë thjesht shumë të ngutshme për të mbetur të pazgjidhura, madje edhe në kontekstin e diskursit tonë të polarizuar politik.

Riçard Le Baron, ish i ngarkuar me punë në ambasadën amerikane në Londër, dhe ish- ambasadori i SHBA-së në Kuvajt, si ish-zëvendësshef i misionit në ambasadën amerikane në Israel:

Unë pres një ndryshim më të madh të politikave amerikane në Gjirin Persik. Me demokratët në kontrollin e Kongresit, ka të ngjarë që ata të bëjnë më shumë pyetje rreth mbështetjes amerikane për veprimet saudite në Jemen.

Uilliam F.Ueshler, këshilltar për programet e Lindjes së Mesme në Këshillin Atlantik:

Për dekada të tëra, liderët në Lindjen e Mesme e kuptonin se vendet e tyre ishin më të sigurta vetëm nëse marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara mbështeteshin në baza dypartiake, dhe

përqendroheshin në interesat e përbashkëta të sigurisë kombëtare. Por vitet e fundit, disa nga këto marrëdhënie janë bërë gjithnjë e më të politizuara.

Dhe vrasja e Xhamal Kashoxhit, është thjesht çështja më e fundit por më e rëndësishmja, që rezonoi fuqishëm në mesin e publikut amerikan. Për pasojë, Kongresi i ri i SHBA-së ka shumë më shumë gjasa të vërë në pikëpyetje aspekte të marrëdhënieve të SHBA me aleatët e saj tradicionalë rajonalë, duke shqyrtuar shitjet e armëve, ngritur shqetësimet e të drejtave të njeriut, dhe duke e kufizuar mbështetjen amerikane ndaj aventurizmit të tyre të perceptuar ushtarak.

Robert A. Mening, ish-strateg në Qendrën Kombëtare të Kundërzbulimi në Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare:

Kontrolli i Kongresit nga demokratët, ka të ngjarë të ketë një ndikim të rëndësishëm në politikat e jashtme dhe të mbrojtjes të presidentit Trump. Vetë Trump e urdhëroi Departamentin e Mbrojtjes të reduktojë buxhetin e mbrojtjes nga 733 në 700 miliardë dollarë. Pra, presim që demokratët ta përforcojnë këtë prirje.

Do të ketë gjithashtu mbikëqyrje dhe një llogaridhënie të fortë mbi operacionet ushtarake në Afganistan, Jemen dhe në Afrikë, dhe presion për të reduktuar disa operacione. Sa i përket politikës së jashtme, mendoj se demokratët do të kundërsulmojnë me më shumë mbështetje anti-globalizmin e Trump ndaj aleancave amerikane në Evropë dhe Azi, si dhe ndaj institucioneve shumëpalëshe.

Pritet që demokratët të jenë më të ashpër ndaj Rusisë, dhe në varësi të përfundimit të hetimit të Robert Myler, në lidhje me çdo marrëveshje të zgjedhjeve të vitit 2016, që mund të ketë ndikim gjithashtu. Do të ketë një shqyrtim më të rreptë të politikës ndaj Koresë së Veriut, dhe pretendimeve të dyshimta të suksesit.

Do të ketë dëgjesa më të shpeshta dhe kërkesa për raportim të rregullt në Kongres, mbi gjendjen e diplomacisë. Sa i përket tregtisë dhe Kinës, dyshoj se demokratët në përgjithësi do të jenë mbështetës të sjelljes agresive të Trump. Një çështje kyçe, do të jetë ratifikimi i NAFTA 2.0.

Disa mendojnë se demokratët në Kongres, do ta bëjnë ratifikimin më të vështirë. Por marrëveshja e re trajton disa shqetësime kryesore demokratike në lidhje me NAFTA, veçanërisht të drejtat e punës, kështu që ratifikimi mund të mos jetë më i vështirë, sesa do të ishte nëse republikanët do të ruanin shumicën në Kongres.(Atlantic Council – bota.al)