Sejko: Çelja e negociatave, instrument parësor i zhvillimit të vendit

Çelja e negociatave duhet parë si një instrument parësor i zhvillimit të vendit. Deklarata ka ardhur nga kreu i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë konferencës së përbashkët të mbajtur në Ministrinë e Financave në kuadër të mbylljes së misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Sipas tij, Banka e Shqipërisë, vlerëson se përmbushja e kritereve për çeljen e negociatave është me rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Po ashtu, një tjetër faktor ndikues në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm sipas Sejkos është edhe zhvillimi i sistemit financiar.

Ndërsa është ndalur më tej tek sektori bankar, ai ka deklaruar se ky i fundit paraqitet i qëndrueshëm dhe shfaqet rezistent ndaj situatave të mundshme të stresit.

“Sektori bankar i qëndrueshëm, me përmirësim të kapitalit dhe likuiditetit. Ky sektor shfaqet rezistent ndaj situata të mundshme të stresit. Kjo analizë pasqyrohet edhe në projeksionet tona, që parashikojnë vazhdimin e rritjes ekonomike në planin afatmesëm”, u shpreh Sejko.

Ahmetaj: Situatë makroekonomike dhe fiskale të konsoliduar

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka bërë një tablo tepër optimiste për ekonominë e vendit të 6 muajve të parë por dhe një parashikim me të njëjtat nota për të ardhmen.

Në kuadër të mbylljes së misionit të radhës të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë, Ahmetaj ka dalë në një konferencë e përbashkët për mediat ku tha se falë partneritetit me FMN, Shqipëria ka një situatë makroekonomike dhe fiskale të konsoliduar me shumë pak rreziqe që rrisin fokusin për rritjen ekonomike dhe rritjen e punësimi.

“Përtej sfidave të reformave do desha të fokusohesha në disa nga zhvillimet ekonomike dhe parashikimet. Rritja ekonomike ka vijuar të përshpejtohet. për 6 muaj e parë rritja në nivelin 4.4% nga 3.8 që ishte në 2017, e pritet të jetë mbi 4 gjatë gjithë vitit.

Rritja në gjysmën e parë të vitit 2018 është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme. Konsumi, rritje reale me 2.7%. Investimet totale për 6 muaj rritje me 2.8%. Thuajse të gjithë sektorët e prodhimit kanë rezultuar me rritje pozitive. Eksportet e mallrave janë rritur me 16% kundrejt një vitit më parë. Muaji tetor pati një rritje prej 21%. Deficiti tregtar është përmirësuar ndjeshëm, me 8%. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është reflektuar dhe në tregun e punës. Papunësia ka nisur të bjerë dhe punësimi është rritur”, deklaroi Ahmetaj.

Ai tha se parashikojmë një rritje reale më të lartë se FMN, me 4.3%.

“Desha të falënderoja FMN dhe vlerësoj ecurinë që ata mbajnë për financat publike”, deklaroi Ahmetaj.

Ndërsa përfaqësuesi i FMN tha se rritja ekonomike e Shqipërisë ka pasur prirje rritëse por mbetet shumë për të bërë që rritja ekonomike të jetë më gjithëpërfshirëse dhe të ketë shtysa për uljen e emigracionit.

“Parashikojmë nivelin e rritjes ekonomike në 4%, me një zbutje të lehtë vitin e ardhshëm në 3.7%. Kursi i këmbimit është mbiçmuar nga marsi”, u shpreh përfaqësuesi i FMN.