Personat e tatueshëm s’do mund të kryejnë transaksione me lekë në dorë

Në rubrikën “Tatimet Këshillojnë” Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar informacionin “Mbi pagesat me para në dorë”, ku ndër të tjera sqaron se personat e tatueshëm nuk mund të kryejnë midis tyre transaksione shitjeje dhe blerjeje me lekë në dorë, kur vlera e çdo transaksioni është më e madhe se 150,000 lekë.

Kryerja me lekë në dorë dhe jo nëpërmjet kalimit nga llogaria likuiduese e blerësit ne llogarinë likuiduese të shitësit e transaksioneve të shitblerjes që e kalojnë vlerën 150,000 lekë, përbën shkelje si për shitësin ashtu dhe për blerësin dhe dënohet me një gjobë sa 10% e vlerës së çdo transaksioni të kryer me lekë në dorë.

Konsiderohet shkelje dhe zbatohen sanksionet e parashikuara në legjislacionin në fuqi edhe rasti kur, me qëllimin për të shmangur likuidimin e detyrimeve nëpërmjet kanaleve bankare, personat e tatueshëm, shitës dhe blerës, fraksionojnë ose ndajnë në disa fatura një furnizim apo transaksion të kryer, i cili në kushte normale të personave jo të lidhur do të realizohej si një transaksion i vetëm.

Kufizimi i parashikuar në ligj jepet për transaksionet mbi vlerën 150,000 që kryhen me para në dorë ndërmjet dy personave të tatueshëm, fizikë ose juridik tregtarë. Mosrespektimi i tij konsiderohet shkelje dhe aplikohet dënimi i përcaktuar në përputhje me përcaktimet ligjore. Ky kufizim nuk aplikohet kur pagesa kryhet për një transaksion midis një personi tregtar dhe një individi, pavarësisht se vlera e transaksionit është mbi 150,000 lekë

Shembull /Një individ, ditën e shtunë shtrohet me urgjencë në një spital privat i regjistruar si tatimpagues dhe i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Spitali kërkon kryerjen e një pagese prej 200,000 lekë paradhënie për hospitalizimin. Individi ose të afërm të tij kryejnë pagesën në arkën e spitalit dhe pajisen me kuponin tatimor si pagesë e kryer me para në dorë, si dhe me faturën përkatëse tatimore, pasi vlera e transaksionit është mbi 40,000 lekë. Kjo pagesë e kryer me para në dorë nuk është objekt i kufizimit të përcaktuar në ligj dhe si e tillë nuk është e detyrueshme të kryhet nga llogaria bankare e blerësit në llogarinë bankare të shitësit.

Për të verifikuar nëse ndarja në shumë fatura e një transaksioni është bërë me qëllim shmangien e pagesave nëpërmjet llogarive bankare dhe për të përcaktuar rastet e fraksionizmit apo ndarjes së një fature, e cila normalisht duhet të konsiderohet si një e vetme, Administrata Tatimore analizon me kujdes formën e transaksionit të kryer dhe mundësinë që ai të jetë fraksionuar me qëllim shmangien e pagesave nëpërmjet llogarive likuiduese bankare, duke marrë në konsideratë faktorë të tillë si:

  • Natyrën dhe funksionet e pjesëve përbërëse të furnizimit, të cilat janë fraksionuar në disa fatura,
  • Kapacitetin e mjetit me të cilin janë transportuar furnizimet e fraksionuara (p.sh. me një mjet 25 tonesh shitësi ka bërë disa furnizime, secila me peshë 2-3 ton, duke lëshuar jo një, por disa fatura me vlerë nën 1 milion lekë). Për qëllime të zbatimit të kësaj dispozite, nuk konsiderohet si transaksion i kryer me para në dorë, pagesa për transaksionet, e cila kryhet nëpërmjet institucioneve financiare të parasë elektronike të licencuara nga Banka e Shqipërisë, ose pagesat e kryera me kartë krediti. Një tatimpagues i cili likuidon një faturë nëpërmjet institucioneve financiare të parasë elektronike edhe kur vlera e transaksionit është më shumë se 150,000 lekë, atëherë për qëllime të zbatimit të kufizimit për transaksionet mbi 150,000 lekë, ky transaksion nuk konsiderohet i kryer me para në dorë.

Gjithashtu edhe pagesat e kryera me kartë krediti, për transaksione të ndryshme midis dy personave të tatueshëm nuk konsiderohen të kryera me para në dorë. Kështu kur një agjenci turistike e cila likuidon restorantin ose kryen pagesën e një muzeu për vizitën në muze të turistëve për qëllime të paketave turistike nëpërmjet kartës së kreditit të agjencisë, nuk konsiderohet se e ka kryer transaksionin me para në dorë.

Afishimi i çmimeve

Në zbatim të detyrimit ligjor, personat e tatueshëm, që kryejnë furnizime mallrash apo shërbimesh, janë të detyruar të afishojnë çmimet e shitjes së mallit apo të shërbimit që furnizojnë, pavarësisht nga natyra e furnizimit dhe nga statusi i blerësit. Kjo dispozite është e detyrueshme për të gjithë personat e tatueshëm, si për ata qe bëjnë furnizime mallrash apo shërbimesh me pakice ashtu dhe për ata qe bëjnë furnizime mallrash apo shërbimesh me shumice, pavarësisht nga fakti nëse janë persona të tatueshëm, subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar e të Tatimit mbi Fitimin apo persona të tatueshëm, tatimpagues i Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin e biznesit të vogël.

Personat e tatueshëm të cilët shesin mallra apo shërbime me pakicë janë të detyruar të afishojnë në mënyrë të dukshme me etikete, çmimin e çdo malli apo shërbimi që ata ofrojnë. Kurse personat e tatueshëm që furnizojnë mallra apo shërbime me shumice, janë të detyruar të afishojnë dukshëm në vendin e furnizimit, listën e çmimeve të mallrave apo shërbimeve që ofrojnë për furnizim.

Kjo listë i vihet në dispozicion Administratës Tatimore sa herë që kjo e fundit e kërkon një gjë të tillë me rastin e një verifikimi apo kontrolli tatimor ne vend. Të gjithë personat e tatueshëm, subjekte të çfarëdo lloj tatimi, që kryejnë njëkohësisht veprimtari tregtare të shitjes me shumicë për persona të tjerë të tatueshëm dhe të shitjes me pakicë për individë konsumatorë finalë, janë të detyruar që t’i organizojnë këto veprimtari në vende të veçanta, të ndara nga njëri-tjetri.

Kjo do të thotë që një person i tatueshëm, në një njësi të përhershme të shitjes me pakicë (dyqan) nuk mund të kryejë nëpërmjet kësaj njësie edhe shitje me shumice. Po ashtu, një person i tatueshëm që shet me shumicë (për persona të tjerë të tatueshëm) direkt nga magazina e tij apo nga çdo vend tjetër biznesi i tij, nuk mund të kryejë nga kjo magazinë apo vend tjetër biznesi edhe shitje me pakicë për individë konsumatore finale.

SCAN