Kosova shkruan historinë, mposht Azerbajxhanin dhe ngjitet një divizion më lart

Kosova shkruan historinë. Dardanët fitojnë grupin 3 të Divizionit D, duke siguruar të drejtën që në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kombeve të bëjnë pjesë një Divizion më lart, atë C.

Të besuarit e Bernard Challandes ishin thjeshtë magjik në takimin e fundit, teksa mposhtën me “poker” golash, 4-0 Azerbajxhanin. Heroi i tyre ishte padyshim, Arbër Zeneli, i cili shënoi një tripletë personale.

Në “Fadil Vokrri” takimi nisi praktikisht me gol për kosovarët. Ishte Arbër Zeneli i cili e gjeti rrugën e rrjetës pas 2 minutash lojë. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërkohë që në pjesën e dytë dominimi i vendasve ishte mbytës.

Edhe për të dyfishuar mendoi sulmuesi i Heerenven, përpara se Rrahmani “vulosi” fitoren. Goli i Zenelit në minutën e 76-të kompletoi “pokerin” e Kosovës ndaj Azerbajxhanit, dhe plotësoi tripletën e tij në këtë takim.

Kjo fitore i dërgon në katër triumfet e Kosovës në grupin 3 të Divizionit D, ndërsa 2 takime u mbyllën në barazim. Pozitiv gjatë këtij sezoni ishte edhe faza sulmuese, e cila shënoi 15 herë kundrejt 2 golave të pësuar.