Dokumenti- Ja kur mbahen zgjedhjet për krerët e degëve të PD

Partia Demokratike do të zhvillojë zgjedhjet për kryetarët e degëve nga 23 nëntori deri më 2 dhjetor.

Me poshte urdhri i kryedemokratit Lulzim Basha për organizimin e zgjedhjeve.

“Në mbështetje të nenit 34 dhe 36 të Statutit të Partisë Demokratike, me qëllim organizimin dhe mbajtjen e Kuvendeve të Degëve të Partise Demokratike si dhe konstituimin e Kryesive të Degëve,

URDHËROJ: Organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Degëve të Partisë Demokratike, gjatë periudhës 23 nëntor deri në 2 dhjetor 2018”, thuhet në shkresën e firmosur nga kreu i PD, Lulzim Basha.

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar Lulzim Basha kërkoi që krerët e partisë demokratike në rrethe të zgjidhen brenda dy javësh në mënyrë që t’i hapet rrugë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar dhe ngritjes së shtabeve elektorale për zgjedhjet lokale.

Por urdhri i Bashës nuk ka kaluar pa diskutime brenda partisë. Në një mbledhje të kryesisë të zhvilluar në fundjavë kur është hapur kjo çështje Arben Ristani, Aldo Bumçi, Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi janë shprehur kundër zhvillimit të zgjedhjeve të brendshme përpara zgjedhjeve lokale pasi mund të sjellë pakënaqësi në anëtarësi, pakënaqësi të cilat mund të dëmtojnë partinë elektoralisht. Megjithë kundërshtimet, Basha është i vendosur për të zhvilluar zgjedhjet brenda partisë pasi më 15 dhjetor ka vendosur që të mbledhë Kuvendin Kombëtar.

Me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar i hapet rruga dhe zgjedhjes së Këshillit Kombëtar. Më pas, Këshilli Kombëtar do të zgjedhë kryesinë e re të partisë, sekretarin e përgjithshëm organizativ dhe dy nënkryetarët e rinj. /BW