Albana Vokshi: Gjuha raciste e Alket Hysenit duhet të dënohet

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar me anë të një postimi në “Facebook”, lidhur me shprehjet raciste të deputetit socialist, Alket Hyseni.

Vokshi shprehet se gjuha raciste e Hysenit duhet të dënohet hapur dhe prerë nga të gjithë ata që çmojnë dhe respektojnë të drejtat e njeriut.

Postimi i plotë:

Deputeti i Ramës Alket Hyseni, në një status në rrjetet sociale, ka përdorur një gjuhë raciste, diskriminuese dhe të papranueshme ndaj personave me aftësi ndryshe duke i përdorur ata si standart përcmimi, sharje e urrejtje.

Ndjesa e mëvonshme e pandjerë deputetit Hyseni është e pamjaftueshme. Heshtja e Ramës dhe e grave deputete te PS ndaj gjuhës së pushtetit që nxit urrejtje e dhunë, është e papranueshme.

Gjuha e tij raciste duhet të dënohet hapur dhe prerë nga të gjithë ata që cmojnë dhe respektojnë të drejtat e njeriut. Organizmat ndërkombëtare duhet të reagojnë.

Kryetari i Kuvendit të zbatojë menjëherë nenin 6, të Kodit të Etikës, që ndalon deputetin të përdorë një gjuhë të shprehuri, që nxit urrejtjen dhe diskriminimin ndaj personave me aftësi ndryshe.

Kërkoj nga institucionet kundër diskriminimit dhe mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut të reagojnë sipas dispozitave ligjore.