”Unaza e Re”, deputetja: Qeveria po përpiqet të bëjë diversion

Deputetja e PD-së Dhurata Çupi, thotë se qeveria po përpiqet të bëjë diversion mes banorëve protestues tek ”Unaza e Re” me qëllimin final përçarjen dhe mashtrimin e tyre. Në një postim në facebook, Çupi u bën thirrje banorëve të mos bien pre e mashtrimit dhe se paraqitja në ARRSH nuk është zgjidhje ligjore por diversion dhe manipulim i tyre.

Postimi i plotë i Dhurata Çupit

Qeveria po përpiqet të bëjë diversion mes banorëve protestues tek Unaza e Re me qëllimin final përçarjen dhe mashtrimin e tyre. I tillë është qëndrimi i sotëm Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili fton banorët ”të marrin kontakt ne ARRSH-në për të marrë informacionin që u nevojitet: Banorët e zonës tek ”Unaza e Re” janë në të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore për të protestuar dhe mbrojtur pronën e tyre. U bëj thirrje të gjithë banorëve që përballen me dhunën dhe presionin e qeverisë të mos bien pre e mashtrimit! Qytetarët duhet ta dinë se: Paraqitja ne ARRSH nuk është zgjidhje ligjore, por diversion dhe manipulim I tyre.

Ligji për shpronësimet publike ka përcaktuar qartë procedurat që ndiqen në çdo rast të shpronësimit. Ky proces duhet të jetë transparent dhe jo selektiv.

Në kushtet e errësirës informuese, përmes akteve në kundërshtim të plotë me ligjet shqiptare, ARRSH u kërkon banorëve të paraqiten pranë këtij institucioni, me dokumentet që ata posedojnë, duke tentuar kështu tejkalimin e parashikimit ligjor për shpronësimet.

Ligji kërkon bërjen publike të lista së plotë të objekteve që do të shemben. Bashkë me deputetë të tjerë dhe ekspertë në PD, mbetemi të gatshëm të ofrojmë asistencë ligjore për çdo banor, shtëpia e të cilit është nën kërcënimin e fadromave të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.