Ultimatumi i Valverde, Barcelona nxjerr në merkato Dembele

Aventura te Barcelona po kthehet në makth për Ousmane Dembelé. Sipas të përditshmes katalane “Sport”, sulmuesi francez, i lënë jashtë skuadrës nga Valverde për ndeshjen me Betisin, ka marrë një ultimatum nga drejtuesit e klubit: ose duhet të ndryshojë qëndrim, ose do të përjashtohen nga organika për ndeshjet e ardhshme.

Arsyeja? Sjellja e kampionit të botës.

Dembele, që synohet nga Liverpooli në merkaton e janarit, e ka patur shumë të vështirë për t’u përshtatur me ambientin në klubin blaugrana, ku madje është akuzuar se nuk ka paguar qiranë e shtëpisë dhe se ka shkatërruar mobiljet.

Një sjellje vërtet e çuditshme nga futbollisti që i ka kushtuar Barcelonës një shumë të majme parash, pikërisht për të zëvendësuar të larguarin Neymar. Dembele deri në këto momente jo vetëm që nuk i ka përmbushur pritshmëritë, por është shndërruar një problem më shumë me qëndrimet e tij aspak korrekte.